E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi është humbës

Beogradi është humbës nga kriza e fundit në pjesën veriore të Kosovës. Por humbësit më të mëdhenj, sipas analistit Dusan Janjic, janë tajkunët e fuqishëm serbë që u kanë ikur tatimeve. Janjic thotë se përmes barrikadave në Veri, Tadic synoi ndarjen e Kosovës. Nga Express më 10 gusht 2011 në ora 08:46

Analisti Dusan Janjic ka deklaruar se Beogradi ka humbur më së shumti nga zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Sipas Janjicit, humbës janë edhe tajkunët e fuqishëm në Serbi dhe mijëra të ashtuquajtur biznesmenë kontrovers, të cilët kanë përfituar shumë për shkak se nuk kanë paguar doganë duke deklaruar se malli është i destinuar për Kosovë, derisa atë e kanë mbajtur në Serbi dhe e kanë shitur nëpër rrjetin e tyre të shitjes.

“Ne humbim diku rreth 1 miliard buxhet për shkak të tatimit të papaguar dhe taksës që transferohet sikur të ishte në Kosovë, e nuk është. Janë në pyetje para të mëdha. Një fuqi e madhe sociale dhe politike është vendosur mes serbëve dhe shqiptarëve para së gjithash te serbët në Veri që janë të lidhur me udhëheqësit partiakë dhe serbët në Beograd që nuk po e lejon normalizimin e gjendjes. Për ata, sundimi i ligjit dhe kontrolli i kufirit është i papranueshëm kushdo që e ekzekuton atë”, ka thënë Janjic për seksionin e gjuhëve sllave të Radios Europa e Lirë.

Ai ka thënë se negociatori serb në bisedimet teknike me Kosovën nuk e ka kryer punën si duhet.

“Ai nuk e ka pasur përkrahjen e autoriteteve në Beograd. Dhe thjesht, Stefanovic ka hyrë në biseda teknike para Qeverisë së Serbisë, por ai nuk ka pasur përkrahje të plotë politike. Pa përkrahje, as ai vetë nuk ka ditur të bashkëpunojë, ka premtuar disa gjëra që nuk janë të zbatueshme, për shembull që deri më 1 nëntor, sjelljen e kopjeve të kadastrës. E gjendja e kadastrës është e tillë që edhe po të donin të gjithë, ato nuk mund të sillen deri më 1 nëntor. Kjo ka qenë kombinim i mungesës së mjaftueshme të njohurive dhe koordinimit me kolegët e tij më së shumti me Ministrin e Jashtëm dhe ministrat e tjerë”, ka thënë analisti serb.

Duke folur për bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, Janjic ka thënë se Stefanovic gjatë bisedave teknike është pajtuar për vulën e Kosovës, në të cilën shkruan “Kosovo”.

“Sa i përket vulës doganore, Beogradi e ka lëshuar rastin kur me BE’në dhe autoritetet kosovare të gjejë një zgjidhje që do të mundësonte mbledhjen e taksës doganore jo vetëm për buxhetin e Kosovës, por taksa edhe për buxhetin e Serbisë që është edhe më e rëndësishme, TVSH’në. Më duhet të them se humbësit më të mëdhenj nga tërë ky tregim janë disa tajkunë të fuqishëm të Serbisë dhe disa biznesmenë kontroversë”, ka thënë ai.
Janjic ka vlerësuar se Bashkimi Europian do të arrijë një pjesë të interesave të saj nga kjo krizë derisa ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka fituar më së shumti. “Do të thotë Beogradi, të fillojmë nga humbësi, në mënyrë fatkeqe i ka humbur dy tema nga ajo tavolina e dialogut teknik, vula e doganës dhe përfaqësimi ndërkombëtar i Kosovës. Këto janë tema që janë bërë copë gjatë kësaj krize”, ka thënë ai.

“E them shkurt, Hashim Thaçi ka aktivizuar një metodë të sprovuar, në të cilën ai dhe shoqëria kosovare funksionojnë mirë, e kjo është krijimi i një realiteti të ri”, ka shtuar Janjic.

Ai ka thënë se Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka reaguar duke dashur që përmes barrikadave të serbëve në Veri të arrijë ndarjen e Kosovës.

“Presidenti Tadic reagoi ndaj këtij realiteti duke menduar keq se do të krijojë kushte që me këto barrikada megjithatë që Kosova të ndahet në Veri. Kjo nuk kaloi. Ai tash është duke pritur reagimin e Moskës. Nëse mund të presë deri në takimin me Putinin, në fund të gushtit, nëse jo, do t’i duhet më herët të bëjë veprime.

Ai tash është në një situatë që ta braktisë idenë e ndarjes dhe krejt këtë tregim për doganat dhe kontrollin. Mendoj se ai është në situatë të vështirë. Nuk do të ishte në situatë të vështirë po të kishte qenë i aftë që ta ndryshojë politikën”, ka thënë ai.

Por a është kjo rruga drejt njohjes së pavarësisë?

“Po, në çfarëdo rasti po. Ky është njëri nga stacionet. Vetëm se është problemi që Tadic në këtë mënyrë nuk dëshiron ta njohë Kosovën, e cila është duke marrë gjithnjë e më shumë– tani ka 75 shtete që e kanë njohur”, ka thënë Janjic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›