Marrëveshja mund të shkelët

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Lek Musa ka deklaruar se marrëveshje 10-pikëshe e arritur mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it është ajo që ka mundur të arrihet në këtë moment, por ai nuk ka përjashtuar as mundësin që mund të ketë shkelje të kësaj marrëveshje, pasi personat të cilët janë marr me krim të organizuar do të humbasin shumë dhe do të bënin çdo gjë për të ndryshuar gjendjen në favor të tyre.
Në një intervistë për Kosovapress, Musa ka thënë se me këtë marrëveshje po zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës i marr ditë më parë, për vënien e rendit dhe ligjit në atë pjesë.
“Mendoj se është një marrëveshje e mirë e arritur për momentin, ndoshta është maksimumi që është arritur për momentin. Do të hyjë në funksion për të zbatuar vendimin Qeverisë, për të zbatuar vendimin e masave të reciprocitetit për momentin dhe ajo që është me rëndësishmja do të ketë zbatim të këtij vendimi të Qeverisë”, ka theksuar Musa.
Për më tepër ai ka shtuar se në këtë marrëveshje janë pikat specifike që ndalojnë kontrabandimin e mallrave përmes rrugëve dytësore.
“Mendoj se siç thashë, do të jetë në kuadër të vendimit të Qeverisë, sepse në kuadër të kësaj marrëveshje janë pika specifike, të cilat flasin për aplikimin e këtij vendimi, siç është ndalimi i rrugëve dytësore, apo rrugët alternative, për të futur mallra dhe kjo do të jetë një prej synimeve të KFOR-it që të parandalojë hyrjen e mallrave të kontrabanduara prej shtetit të Serbisë”, ka theksuar kreu i OEAK-ut.
Madje kreu i OEAK-ut mendon që hyrja e mallrave përmes dy pikave kufitare, do të jetë vetëm për qëllime humanitare. Gjithashtu ai nuk mohon që mund të ketë edhe shkelje të kësaj marrëveshje.
“Mendoj se ato janë për qëllime humanitare dhe shpresoj se KFOR-i do të shfrytëzojë të veten për të aplikuar dhe për të zbatuar me përpikëri këto pika të marrëveshjes.
Përndryshe vazhdimisht ka mundësi për shkeljen e kësaj marrëveshje edhe shpresojmë se KFOR-i do të jetë në lartësinë e detyrës, të cilën e ka parashtruar, sepse KFOR-i është fasilitori, i cili e ka parashtruar këtë marrëveshje dhe se do të përmbush këtë marrëveshje. Ajo që duhet theksuar, se për këtë gjë Qeveria e Kosovës ka pas mbështetje të madhe prej faktorit ndërkombëtar dhe mendoj se është diçka pozitive për ekonominë e Kosovës, do të thotë zbatimi i masave të reciprocitetit dhe kjo përkrahje e fort që vije prej bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.
Edhe pse Qeveria e Kosovës dhe KFOR-i kanë dhënë një datë që kjo marrëveshje do të jetë në fuqi deri më 15 shtator, nuk kanë sqaruar se çka do të ndodh pas kësaj periudhe. Por Musa mendon që pas kësaj date Qeveria e Kosovës duhet të reagojë njëkohësisht siç reagon edhe ajo e Serbisë.
“Unë nuk e di saktësisht se si do të zgjidhet, mirëpo ajo çfarë do të duhej bërë është se Qeveria e Kosovës do të duhej të vazhdojë me masa të reciprocitetit në rast se nuk ka një lëvizje nga ana e Qeverisë së Serbisë, për të pranuar vulat e Republikës së Kosovës dhe do të duhej gjithsesi edhe shtrirja e autoriteteve të Republikës së Kosovës, siç janë shërbimi doganor dhe Policia e Kosovës, në këto dy pika doganore”, ka thënë Musa.
Ndryshe, më 20 korrik Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masat e reciprocitet ndaj prodhimeve serbe. Derisa vendimi i Qeverisë zbatohej në të gjitha pikat kufitare, në dy pikat në veri, 1 dhe 31, EULEX-i lejonte kalimin e mallrave të Serbisë dhe për ta ndaluar këtë, kryeministri Hashim Thaçi urdhëroi më 25 korrik ndërmarrjen e aksionit policor për vemjen e ligjit dhe rendit në këtë pjesë të vendit. Aksioni policor rezultoi me vrasjen e një polici shqiptar nga snajperistët e MUP-it të Serbisë, plagosjen e 6 të tjerëve, bllokimin e rrugëve nga serbët, djegien e pikës 1 nga serbët dhe në fund marrëveshjen 10-pikëshe të arritur mes Qeverisë së Kosovës KFOR-it dhe Qeverisë së Serbisë. (Kosovapress)