E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi kërkon edhe ndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës!

Serbia, sikurse duket qartë, e inkurajuar nga fakti që kushtet e saj u pranuan dhe u përfshinë në planin 6-pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më shumë e paturpshme në kërkesat e saj në adresë të bashkësisë ndërkombëtare. Ashtu sikurse edhe në proverbin popullor kur ndodh që të japin gishtin dhe ti tërheq të gjithë krahun, oreksi i Serbisë tani po vjen duke u rritur. Vetëm kështu mund të shpjegohet deklarata e fundit e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, se ka ardhur koha edhe për ndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës mbi tërheqjen e ushtrisë dhe të policisë jugosllave nga Kosova, e nënshkruar më 9 qershor të vitit 1999, me përfaqësuesit e lartë të NATO-s.

"Nuk ka asnjë shkak që, në këtë moment, kur Serbia e ka treguar veten si një faktor paqeje në rajon, të mos ndryshojë Marrëveshja e Kumanovës. Ju kujtoj se, midis të tjerave, marrëveshja në fjalë përfshin edhe vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit. Mendoj se, objektivisht, tani nuk ka asnjë shkak sigurie se përse duhet të ekzistojë ende diçka e tillë", vuri në dukje, midis të tjerave, dje Presidenti serb, Tadiç në një intervistë që i dha njërës prej gazetave kryesore të përditshme të Beogradit, "Politika", duke vazhduar më tej se "Serbia nuk është faktor destabilizimi, Serbia nuk ka qëlluar kundër askujt, as ushtarët dhe oficerët tanë nuk e kanë bërë një gjë të tillë, përkundrazi, janë të tjerët që kanë qëlluar kundër qytetarëve me kombësi serbe, kundër ushtarëve dhe oficerëve serbë. Kështu, duke folur objektivisht, ne kërkojmë sot ndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe unë, si President i Serbisë, qëndroj pas këtij propozimi.

Serbia, po ashtu, sikurse e thamë edhe më lart, duke ndierë se nga mbrapa tani po i fryn një erë e favorshme, kundërshton edhe krijimin e forcave kosovare të sigurisë, të parashikuar në planin e Ahtisarit. "Që nga fillimi i bisedimeve, që kur, për herë të parë, në planin e Ahtisarit u parashtrua ideja për krijimin e të ashtuquajturave forcave të sigurisë të Kosovës, e kam kundërshtuar një zgjidhje të tillë, duke theksuar se një zgjidhje e tillë është absolutisht e papranueshme sot dhe kështu do të jetë vazhdimisht edhe në të ardhmen. Nuk janë këto forca që kërcënojnë sigurinë e Kosovës. Fjala është për pjesëtarët e armatosur lehtë të forcave të sigurisë, pasi këto janë forca që, në të ardhmen, mund të zëvendësohen me forca ushtarake që do të përbëjnë një faktor kërcënimi për sigurinë në rajon", i tha Tadiçi gazetës "Politika, duke vazhduar më tej se "do të donte të bënte pyetjen se nga do të rekrutohen pjesëtarët e këtyre forcave? Përvoja na ka treguar, tha ai, se ato, në shumë raste, rekrutohen nga njësitë terroriste".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›