Një rrugë për Tumën e Kamenicës
Tuma e Kamenicës, monumenti arkeologjik që ndodhet shtatë kilometra larg Korçës, do të mund të arrihet më lehtë nga vizitorët. Segmenti rrugor që lidh tumën ilire me atë kombëtare i është nënshtruar këto ditë një rikonstruksioni. Një fond prej 15 milionë lekësh është vënë në dispozicion për këtë qëllim. Që 6 vjet më parë, arkeologu Lorenc Bejko, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve, u shpreh për kthimin e tumës së Kamenicës në të parin muze natyror në vendin tonë. Prej të paktën dy vitesh, tuma ilire e Kamenicës funksionon si një muze natyror. Tuma është e vizitueshme me pagesë dhe tani në stinën e dimrit, sezoni i vizitave shtrihet nga muaji tetor deri në prill. Arkeologu Skënder Aliu, një ndër pjesëtarët kryesorë, që ka punuar për zbulimin e vlerave të këtij vend varrimi ilir, si dhe pjesëtar i grupit të punës për ta shndërruar atë në muze natyror, thotë se gjatë sezonit të verës, tuma është vizituar nga më shumë se 1200 të turistë, kryesisht të huaj. Ai sqaron se tuma ilire e Kamenicës është një nga monumentet më përfaqësuese të prehistorisë shqiptare dhe më gjerë. Në këtë tumë janë zbuluar rreth 250 varre, që i përkasin një komuniteti, i cili ka jetuar në periudhën midis shekujve 13-6 p.e.s.