E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumanova, tre gjermanët, Jeremiç dhe ca pikëpyetje që lipset t‘i bëjmë më shpesh

Bashkë me lajmin se tre punonjësit gjermanë të shërbimit BND do të paraqiten të raportojnë në një komision të posaçëm të Parlamentit, bashkë me lajmin se zëdhënësi i qeverisë gjermane deklaroi se të paktën tani për tani nuk do të ketë prerje të ndihmës dhe asistencës gjermane për Kosovën, na mbërriti edhe lajmi tjetër se Serbia ka ndërmarrë tashmë një aksion diplomatik, i cili ka për synim mendjembushjen e kancelarive më të rëndësishme të shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare në lidhje me domosdoshmërinë e rishikimit edhe të marrëveshjes së Kumanovës. Në fillim lajmi u shfaq në një të përditshme beogradase, e cila citonte Presidentin serb, Tadiç. Ai paska thënë se tashmë që Serbia është një faktor stabiliteti në rajon, nuk ekziston asnjë arsye që kjo marrëveshje të mos rishihet, kuptohet, gjithnjë në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në fillim me gjysmë goje e tashmë së fundmi gjithnjë e më shpesh, po pohohet se aksioni diplomatik serb ka qenë rezultativ dhe ka sjellë jo pak çoroditje në mendjen e shumëkujt, jo vetëm në Kosovë, edhe pse kryesisht atje. Përkundër faktit se tashmë procesi i pavarësimit të Kosovës do të shqyrtohet nga gjykata ndërkombëtare, përkundër miratimit të "zbutur" të planit prej gjashtë pikash të Ban Ki Mun nga po ai Këshill Sigurimi i OKB-së, përkundër arrestimit befasues nga policia shqiptare dhe lirimit pa asnjë dinjitet nga ana e trupave të OKB-së të tre punonjësve të shërbimeve inteligjente gjermane, duket se deklaratat emocionale dhe "tepër të forta" të lidershipit kosovar tashmë nuk ngopin më askënd. Ato të bëra nga shefat e qeverisë shqiptare, po aq emocionale dhe "patriotike", ca më keq. Madje më shumë se sa kaq: duke folur me tone tërësisht emocionale, ishte e para herë që "udhëheqësia" e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit të shprehej ndryshe nga diplomacia e aleatit tonë strategjik, SHBA-së.

Ǒka ndodhur? Ku është gabuar? Nga kush është gabuar? A ka ndonjë përgjegjës? Si u arrit që ende pa u mbushur nëntë muaj nga shpallja e pavarësisë, jo vetëm që procesi i njohjes së shtetit të ri është ngadalësuar, por një sërë aksionesh dhe vendimesh kanë shërbyer më së paku si një shi i ftohtë që po e platit zjarrin e festës? Si u arrit që një numër shtetesh - mes tyre edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca, - që tashmë e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës, të votojnë për propozimin prej 6 pikash të lartpërmendura. Dhe mbi të gjitha: si mund të rikthehemi në hullinë e një trajektoreje normale punësh me anë të së cilës - vetëm me anë të saj, - të mund t‘i dilet përpara "hovit" diplomatik serb? Apo lipset të rishikohet gjithçka nën një dritë tjetër?

Sigurisht që shumë analiza janë bërë, po bëhen e do të vazhdojnë të bëhen jo vetëm në mediat shqiptare. Një sërë faktorësh politikë do të synojnë ta përdorin gjithashtu situatën e krijuar në favor të vet. Spekulimi me çështje kaq shumë sensitive nacionale është me sa duket i pashmangshëm. Po a mjafton që mbi një "dështim" të ngremë filizat e një dështimi tjetër të pritshëm, të pritshëm pikërisht sepse është abuzivist dhe spekulues me ndjenjat nacionaliste, që jo se janë edhe aq racionale?

A mjafton vetëm të mallkosh Serbinë dhe aleaten e saj të vjetër, Rusinë?

Kjo është më së shumti mënyra e "të prerit shkurt të druve" nga shumëkush që pretendon t‘i qaset tematikës "së nxehtë" të mësipërme. "Me asistencën e Rusisë…", "me mbështetjen e pandërprerë të Rusisë…", kështu fillojnë shumë analiza që pretendojnë këtë tematikë. Në të vërtetë nuk ka asgjë të re në këtë nënvizim. Problemi mendoj se duhet shkruar ndryshe: nëse serbët paskan pas vetes Rusinë, ne kemi pasur me vete pjesën më të rëndësishme të botës së civilizuar dhe më autoritare në arenën ndërkombëtare. Sepse askush nuk mund të thotë se Rusia qenka me më shumë peshë se sa SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Anglia, Franca etj., etj., ca më shumë që këto të fundit kanë qenë bashkë në të njëjtin panel që mbronte çështjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Atëherë duket se diku duhet të kemi gabuar "ne", domethënë politika dhe diplomacia e shqiptarëve. Mos vallë në mendjet tona të mbushura me "djallëzi" ballkanike ne (nënkupto lidershipin politik shqiptar) ua varëm në qafë pikërisht aleatëve tanë strategjikë të gjitha detyrimet që lipsej t‘i kishim përmbushur vetë, ndërsa vetë, nën një retorikë nacionaliste e démodé që nuk guduliste askënd, (madje as votuesit e Kosovës vetë), u morëm me tendera rrugësh - qofshin edhe patriotike, - shitblerje trojesh, minierash e pasurish publike; me festime dioniziake e afera të tjera të fëlliqura, ku jo rrallë janë përzier edhe "liderët" tanë "të shquar", disa prej të cilëve, madje, edhe krenohen që kanë emrat në listat e zeza të aleatëve tanë strategjikë?

Nëse është e vërtetë që propozimi i Ban Ki Mun ka mbërritur diku para mesit të qershorit, ç‘kanë bërë kancelaritë tona? Ǒkanë bërë zyrat në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, e cila ende nuk e ka dërguar ambasadorin e vet në Kosovë? Ǒmateriale (papers - do të thoshte ministri ynë i Jashtëm) u prodhuan ndërkaq? Ǒkonsulta u bënë në Presidencë, Kryeministri e kështu me radhë? Ǒraporte dha shërbimi ynë i ashtuquajtur "inteligjent" dhe a ka ndonjë mënyrë që ky shërbim të na sjellë jo vetëm informacione se me kë i pinë kafetë kundërshtarët politikë, me kë bëjnë afera dhe me kë dashuri, por edhe informacione mbi lëvizjet e pritshme politike të atyre që nuk mendojnë si ne? Ǒbëri ndërkaq i shpalluri nga Berisha si special envoy i tij për Kosovën, zoti Sabri Godo? Po opozita shqiptare ç‘paralajmëroi në emër të së ashtuquajturës "politikë e re", që në thelb është çdo gjë përveç politikës? Po institucionet e studimeve të marrëdhënieve ndërkombëtare? Mos vallë "ne", gjithë me arsyetimin tonë fshataresk e hilanjoz, për pasojë thellësisht primitiv, shpresuam se për hatrin tonë dhe për pavarësinë e Kosovës "bota" do të hynte në sherr me cilindo shtet tjetër qoftë, përfshi edhe Rusinë? Mos vallë mjaftoheshim (domethënë liderët tanë) vetëm me marrjen e ca fotove nëpër ballinat e gazetave krah përkrah me ambasadorët respektivë të SHBA-së apo të të tjera vendeve të rëndësishme perëndimore, pa qenë në gjendje të ndërtonim ura të vërteta bashkëpunimi partnerial as me ta?

Që politikëbërja shqiptare ka rënë në nivel të një politike të mbyllur, politikë të interesit partiak, klanor e thellësisht vetanak, në nivel të një politike thjesht dhe vetëm reaktive - në sensin se ajo është në gjendje vetëm të reagojë, por jo të formatojë dhe të lançojë teza politike, jo të krijojë lobingje ndërkombëtare - kjo nuk përbën ndonjë gjë të re për shumëkënd. Ajo që çudit kësaj radhe është pohimi i frikshëm se ajo është rikthyer në thelbin e saj edhe në një politikë primitive, emocionale, gjasme patriotike, që të kujton së paku politikën shqiptare të kohës kur ende në Serbi ishte në pushtet Milosheviçi, ndërsa Rusia ishte zemra e një hapësire të tërë që thirrej Bashkim i Republikave Socialiste Sovjetike. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që, megjithëse menjëherë pas luftës në Kosovë, marrëdhëniet e Tiranës e Prishtinës ishin më bashkëpunuese me Beogradin se sa tani. Optika e armikut tradicional dhe historik është e vlefshme për mentalitetin e një epoke që tashmë ka perënduar. Ai është një mentalitet, i cili, më shumë se sa produkt i një mendësie komuniste, është produkt i paaftësisë politike dhe i venitjes totale diplomatike.

Kjo tendencë më së miri u spikat në reagimet politike në të dyja anët e kufirit, menjëherë pas miratimit të propozimit të Ban Ki Mun. Aq menjëherë dhe aq emocional ishte ky reagim - në të vërtetë plot pesë muaj i vonuar, - saqë u desh ndërhyrja amerikane që synonte krejt një qëndrim të ndryshëm ndaj propozimit. A i "peshoi" politika shqiptare të tjera opsione të mundshme ndaj zhvillimeve të pritshme, p.sh. të themi, idenë se Kosova do të mund të riniste negociatat me Beogradin, qoftë për të ndarë e zgjidhur problemet që janë normalisht pending midis dy copave që për një kohë të gjatë kanë qenë elemente të të njëjtit shtet, qoftë edhe mbi bazën e planit 6-pikësh të Ban Ki Munit nëse Serbia, si parakusht, do ta njihte pavarësinë e Kosovës?

Është e qartë se pavarësisht turbullirave dhe ngadalësive të momentit në procesin e njohjes së Kosovës, pavarësisht paaftësisë evidente të diplomacisë sonë dhe naivitetit joproduktiv të lidershipit kosovar, pavarësia e Kosovës është një akt i pakthyeshëm tashmë, çështja shtrohet se sa gati jemi ne për të përballur një realitet tjetër, të të tjerave standarde, një realitet ku patriot është ai që është në gjendje të ulet me "kundërshtarin", të debatojë me të, të marrë përsipër përgjegjësi të cilat, për rregull, jo përherë janë në të njëjtët kahe me ndjeshmërinë populiste "patriotike" të momentit. Sepse është e lehtë të deklarosh se je për integrimin në BE apo në NATO, por nuk është edhe aq e lehtë që të prodhosh një politikë dhe institucione që janë kompatibël me atë realitet… E, diplomacia do të lipsej të paraprinte në këtë proces…

E, ndërkaq, me të drejtën që i jep liria që e kanë sjellë edhe gjermanët, pavarësisht se në kahe të ndryshme, protestat e Albin Kurtit veçse rikonfirmojnë dyshimet e mësipërme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›