E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i, rruga e mundimshme drejt funksionimit

Vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mbështetjen e planit për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë në këtë të fundit dhe në Serbi e vlerësojnë nga këndvështrime të ndryshme, më saktë, të kundërta. Në qoftë se në Prishtinë vihet në dukje se ky plan nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në Beograd thonë se misioni (EULEX-i) do të jetë neutral me të gjitha implikacionet e tij, duke e konsideruar miratimin e planit të mësipërm nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si një fitore diplomatike të Serbisë. "EULEX-i, që nga dita e parë, do të vendoset në të gjithë territorin e Kosovës. Ai nuk do të jetë neutral, por do të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës", i tha këto ditë gazetës së përditshme serbe "Kurir" nënkryetari i qeverisë së Kosovës, Lutfi Haziri. "Prishtina e mbështet ardhjen e misionit të BE-së, por ai (misioni) vetëm do të mbikëqyrë zbatimin e planit të Ahtisarit që mbështet pavarësinë e Kosovës. EULEX-i, që nga 1 dhjetori, do të vendoset edhe në veri të Kosovës, ku jetojnë serbë", theksoi z. Haziri.

Analisti i njohur kosovar, Shkëlzen Maliqi, nga ana tjetër, i tha gazetës së lartpërmendur serbe se "vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për EULEX-in është 98 për qind e realizimit të planit të Ahtisarit dhe lëshimet që i janë bërë Serbisë përbëjnë vetëm 2 (dy) për qind. Gjërat janë formuluar në atë mënyrë që të kënaqen të gjithë. Serbët mund të jenë të kënaqur, pasi në një pjesë të territorit të Kosovës do të jetë UNMIK-u, por kjo e gjitha do të jetë vetëm përkohësisht.

Sidoqoftë, në Beograd nuk e fshehin kënaqësinë që ngjalli miratimi i planit të mësipërm nga ana e OKB-së. Zëdhënësja e Partisë Demokrate të Serbisë, në pushtet, Jelena Trivan, e quajti miratimin e planit si një fitore diplomatike të Serbisë. "Beteja diplomatike dhe juridike që po zhvillon Serbia për Kosovën, po tërheq gjithnjë e më shumë, aleatë dhe po jep rezultate. Për herë të parë, pavarësisht nga kundërshtimi i Prishtinës, u mor një vendim që është në përputhje me interesat e serbëve", tha ajo. Lideri i Partisë Liberale Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviç, nga ana tjetër, gjithashtu, e përshëndeti vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke theksuar se partia e tij, që nga fillimi ka qenë në favor të vendosjes së EULEX-it në Kosovë, ndërkohë që Dragan Todoroviç i Partisë Radikale të Serbisë (SRS) konsideron se miratimi i planit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së është një "mashtrim i madh" dhe se ky plan nuk është gjë tjetër veçse një "skenar i SHBA-së dhe i BE-së për zbatimin e planit të Ahtisarit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›