"Të rishikohen françeskanët"
Kontributi i françeskanëve në letrat shqipe duhet riparë. Ky ka qenë thelbi i diskutimeve të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike, që u zhvillua dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Studiuesit janë shprehur se kontributi i autorëve françeskanë në kulturën shqiptare përmes veprave letrare dramaturgjike, etnologjike, publicistike, historike e filozofike, ka dimensione të tjera nga ato që u njihen sot. Pjesëmarrës nga disa qendra studimore brenda dhe jashtë vendit kanë rrokur për herë të parë këtë temë të lënë në hije deri më sot. Të pranishmit në tryezën e diskutimit hodhën idenë se rishkrimi i historisë së letrave shqipe nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh kontributin e shumanshëm të tyre në dokumentimin e trashëgimisë kulturore kombëtare. Prof. Sabri Hamiti, duke iu referuar At Zef Pllumit, si një ndër përfaqësuesit e françeskanëve, nënvizoi se "ky autor ka krijuar një vepër monument për kulturën shqiptare. Ajo është një dëshmi dhe vlerësim në fillim e në fund, një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues, por edhe krijues i letërsisë shqipe". Ndërsa studiuesja Dhurata Shehri u shpreh se "për arsye kryesisht jashtë letrare gjatë 50 viteve, një pjesë e mirë e autorëve françeskanë, duke filluar nga autori më i madh, Gjergj Fishta, nuk është lejuar të mësohet në shkolla dhe të studiohet nga nxënësit, duke sjellë një problem në qarkullimin e vlerave në letërsinë shqiptare". Sipas saj, një arsye tjetër për të risjellë në vëmendje autorët françeskanë është fakti që autori i madh françeskan At Zef Pllumi me dy veprat e tij "Rrno vetëm për me tregue" dhe "Françeskanët e mëdhenj", risolli letërsinë françeskane, letërsinë e gegërishtes letrare.
Sipas saj, vepra e At Zef Pllumit ndoshta ka ndryshuar dhe një herë të gjitha hierarkitë e letrave shqipe dhe kjo është një nga mënyrat më të mira për të rishqyrtuar çka ka ndodhur me autorët françeskanë, të cilët janë trajtuar pak ose aspak në historinë e këtyre 50 viteve të letërsisë shqipe. Konferenca u organizua nga Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë.