E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi lexon përrallën e vjetër: Kosova, djep i Serbisë

Në seancën e parë dëgjimore rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, delegacionin e Serbisë e ka udhëhequr ambasadori i këtij vendi në Francë, Dushan Batakoviç. Në argumentimin e tij, ai tha se për organizatat ndërkombëtare, "veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë", deklarata unilaterale e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi ai shpalljen e pavarësisë së Kosovës, "është një sfidë shumë e madhe". Ai tha se "ajo sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial". Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë rëndësi fondamentale jo vetëm për zhvillimet në Kosovës, por edhe për rendin ndërkombëtar, ka vënë në pah Batakoviç. Ai e ka cilësuar edhe kësaj radhe Kosovën si "djep të Serbisë", duke përsëritur kësisoj një formulim tashmë të njohur të Serbisë zyrtare. Sipas zotit Batakoviç, është pikërisht deklarata e pavarësisë ajo që i shndërroi serbët në Kosovë në një minoritet. "Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial", ka thënë Batakoviç, për të shtuar se "megjithatë, Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksible dhe praktike për Kosovën". Në të shumtën e kohës, Batakoviç është thirrur në Rezolutën 1244, që, sipas tij, "garanton integritetin territorial të Serbisë". Ai ka thënë se i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, dhe disa vende të caktuara "kanë bërë presion që pavarësia të imponohet si zgjidhje". Batakoviç, me këtë rast, ka akuzuar, siç ka thënë ai, "ekstremistët shqiptarë për krime, veçanërisht pas fushatës së bombardimeve në vitin 1999" dhe në këtë kuadër ka përshkruar "kishat e rrënuara ortodokse serbe dhe zbrazjen e Prishtinës nga serbët". "Deklarata unilaterale e pavarësisë", ka thënë Batakoviç, "është një përpjekje që t‘i jepet fund administrimit të UNMIK-ut dhe sovranitetit të Serbisë në Kosovë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›