Popull i burgosur
Shtetasit shqiptarë, jo gjithë shqiptarët, do jenë të vetmit në Ballkan, bashkë me myslimanët e Bosnjës dhe Kosovës, që nuk do kenë mundësi të lëvizin të lirë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Të hënën ju dha lajmi i mirë Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të zi. Shtetasit e këtyre vendeve, ku një pjesë e mirë janë edhe shqiptarë, nëse do duan të festojnë Krishtlindjet jashtë vendit, mund ta bëjë pa asnjë pengesë, sepse qeveritë e vendeve të tyre i plotësuan të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Deklaratat optimiste se Shqipëria do fitojë vizat gjatë vitit 2010, nuk e justifikojnë aspak përgjegjësinë ligjore, politike dhe morale të atyre që janë mandatuar për ta administruar këtë shtet tani dhe më herët. Serbia doli nga një regjim diktatorial dhe pavarësisht kësaj, fitoi. Maqedonia vazhdon një luftë të ashpër me Greqinë dhe sërish fitoi. Mali i Zi s‘ka as 5 vjet që është shpallur shtet dhe sërish përfitoi heqjen e vizave. Shqipëria s‘mund të krahasohet as me Kosovën e sapo bërë shtet dhe as me Bosnjën, shtetin e sajuar. Të gjitha qeveritë shqiptare kanë kontribuar me sa kanë mundur në izolimin e këtij vendi dhe vetë presioni pozitiv i ndërkombëtarëve i ka detyruar që të nisin të plotësojnë disa kushte bazë për të mos qenë më një popull i burgosur brenda kufijve të tij. Heqja e vizave kërkon regjistrim të rregullt të popullsisë, dokumente identifikimi të besueshme, sistem të mirë të menaxhimit të kufijve. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1997 e këndej? Lënia e sistemit të pikave të kalimit kufitar në nivelin e barakave ku nuk ka pasur as energji elektrike i dha jetë kontrabandës së shfrenuar të mallrave, si dhe trafikut të klandestinëve. Me mijëra kinezë, kurdë dhe afganë hynin në kufirin shqiptar për t‘u hedhur drejt Italisë me gomone. Milionat e fituara nga ky trafik për vite me radhë ushqyen edhe politikën e këtij vendi në ato vite, ndërsa aktualisht paratë e pastruara në investime në ndërtim, apo biznese të tjera, na kanë sjellë në skenën politike emra që rrënjët i kanë te kjo pjesë e pistë e historisë shqiptare. Mosmenaxhimi i kufijve dhe mungesa e luftës ndaj krimit të organizuar e kthehu Shqipërinë në një pikë të rëndësishme të trafikut të heroinës në drejtim të Perëndimit, pikë e rëndësishme e tregtisë së prostitutave. Droga, klandestinët dhe trafikantët sfidonin çdo rregull në kufi dhe vetëm shqiptarët që mendonin të jetonin me ndershmëri u izoluan. Çështja e dokumenteve… edhe në këtë pikë, kryeministra dhe ministra kanë bërë gjithçka që ne të jetojmë si në burg. Në vend që kjo çështje të ishte zgjidhur kohë më parë, ajo është lënë ende pezull dhe vetëm një e treta e shqiptarëve kanë tashmë pasaporta biometrike. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të skandaleve të ngritura për shkak të abuzimeve me menaxhimin e prodhimit të pasaportave ose dokumenteve të tjera. Me mijëra pasaporta false kanë dalë nga zyrat e shtetit, ku shumë persona me emra të ndryshuar mundoheshin të mbulonin një histori kriminale në Perëndim. Dhe ato janë certifikuar si të rregullta, duke qenë shkaku kryesor që i gjithë sistemi i dokumenteve që shumica e shqiptarëve mbajnë, të jetë i papranueshëm nga rregullat që përcaktojnë heqjen e vizave. Ju kujtohen kartat e votuesit, tenderi që hëngri miliona dollarë dhe që shpërndarja ngeli në mes sepse procesi dështoi dhe u cilësua i pavlefshëm? I gjithë ky sistem i korruptuar u ndërtua me qëllim, ose nga paaftësia. Pavarësish kësaj, dëmet i ka bërë njësoj. Ky sistem i korruptuar ushqeu kriminalitetin më të zhvilluar në vend, trafikun e klandestinëve. Me dhjetëra mijëra hallexhinj shqiptarë dhe të huaj e lanë fatin e jetës së tyre në dorën e disa kriminelëve me imunitet për shkak të lidhjeve me politikën, për të ikur përtej kufijve, në kërkim të një vendi pune, një jete më të mirë, duke i ikur të ardhmes pa të ardhme në vendin e tyre. Tani na thuhet se në 2010 do lëvizim pa viza në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Shumë mirë, por pse kaq vonë? Kush e mban përgjegjësinë për vitet e humbura në izolim, për mijëra jetë të shkatërruara? Fatkeqësia nuk mund të kthehet në kapital politik, sepse është një fyerje shumë e madhe për njerëzit e këtij vendi, të cilët në shumicë po vuajnë pasojat e politikës amatoreske, antikombëtare dhe antiligjore të administratorëve të tij.