Meta-Papandreu, diskutim për sigurimet shoqërore të emigrantëve
Në prag të Samitit të lartë europian të BE-së, Samiti i 17 ndërministror i OSBE-së që zhvillohet në Athinë është cilësuar padyshim si një paraskenë për përgatitjen e të gjitha çështjeve kyçe që shqetësojnë tashmë 27 shtetet anëtare të familjes europiane. Për sa u përket zhvillimeve ekonomike, momenteve të vështira që kaloi dhe kalon çdo shtet, por edhe më shumë temave politike dhe marrëdhënieve ndërshtetërore me atë pjesë të veçuar të Europës, siç janë shtetet e Ballkanit Perëndimor, midis tyre edhe Shqipëria. Në këtë kontekst duket se kanë qenë edhe shumë takime, qoftë edhe të shkurtra, që ka realizuar përfaqësia e shtetit shqiptar në këtë samit, e kryesuar nga vetë ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Ndër takimet më të rëndësishme dhe më të hapura në kohë ka qenë edhe ai me Kryeministrin grek Jorgos Papandreu, që u zhvillua në një frymë tepër të ngrohtë dhe miqësore. Për asnjë moment nuk është folur lidhur me marrëveshjen për ujërat territoriale apo në lidhje me bojkotin e opozitës. Të dy politikanët, pasi kanë vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, duke i cilësuar si shumë të mira, janë angazhuar për konkretizimin dhe thellimin e tyre të mëtejshëm. Më pas biseda ka shkuar drejt përpjekjeve që duhet të bëjë Shqipëria në kuadrin e axhendës së integrimit të saj europian. Duke marrë si shembull Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, të cilat kanë përfituar shumë më herët liberalizimin e vizave, është vendosur theksi pikërisht te ky stad i ri i marrëdhënieve me BE-në, pas pranimit të aplikimit për anëtarësim nga Këshilli i BE-së. Në këtë kuadër është biseduar edhe konkretisht për procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen e palës greke në këtë aspekt. "Iniciativa e nisur nga Samiti i lartë i Selanikut në vitin 2003, ka theksuar z. Papandreu përfundon me vizionin e përfshirjes së gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian në fund të vitit 2014 dhe prandaj duhen vënë të gjitha forcat në përmbushjen e këtyre angazhimeve dhe reformave që kërkohen". Më tej, Kryeministri grek ka garantuar ministrin Meta për mbështetjen e qeverisë greke në realizimin e kësaj nisme që përfshin, në radhë të parë, liberalizimin e vizave me BE-në për shtetasit shqiptarë deri në fund të vitit të ardhshëm. Për sa u përket çështjeve të bashkëpunimit dypalësh, ministri i Jashtëm i Shqipërisë i ka ripërsëritur Kryeministrit grek kërkesën për vendimin e njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, kërkesë që është pranuar me pozitivitet nga Papandreu ashtu siç edhe kishte ndodhur disa ditë më parë në takimin e Prespës me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha. Ndërsa për sa i përket realizimit të një marrëveshjeje në fushën e sigurimeve shoqërore që do t‘i shërbejë integrimit të mëtejshëm të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, është theksuar se do të ngrihet një komision i posaçëm i përbashkët, në nivel ekspertësh për të shqyrtuar këtë çështje që do t‘u shërbejë qindra mijëra shtetasve shqiptarë. Theks i veçantë i është dhënë gjithashtu edhe rritjes së investimeve greke në Shqipëri dhe për këtë është rënë dakord të mblidhet një komision i përbashkët i bashkëpunimit ekonomik, për të parë mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fusha me interes reciprok. Një prej temave kryesore të këtij takimi ka qenë edhe çështja e Kosovës, ku ndër të tjera, z. Meta ka theksuar se Kosova ka ecur me dinjitet të plotë në këtë kohë kaq të shkurtër pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa ka realizuar me përpikmëri dhe pjekuri politike zgjedhje demokratike në vend.