E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandati me shumicë është antikushtetues

Deputetët e Partisë Socialiste, të mbledhur në protestë, deklaratën e tyre e filluan me shprehjen: "Ne deputetët …".

Deputetët e Partisë Demokratike deklarojnë "punë normale të Kuvendit të Shqipërisë dhe të institucioneve të dala prej tij".

Në kushtet pas zgjedhjeve të fundit të 28 qershorit, a janë deputetë, deputetët e Partisë Socialiste? Sipas Kushtetutës, neni 71, paragrafi 1, deputetët e Partisë Socialiste janë deputetë të mandatuar nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Por, sipas paragrafit 2 të nenit 71, mandati i tyre është i pavlefshëm, për aq kohë sa ata nuk janë betuar. A përbën shkelje Kushtetute mosparaqitja e deputetëve të Partisë Socialiste në mbledhjen e parë për fillimin e mandatit të Kuvendit? Mosparaqitja e deputetëve, në mbledhjen e parë për fillimin e mandatit të Kuvendit, është shkelje e neneve kushtetues 65, 64, sipas të cilëve, mandati i Kuvendit fillon në mbledhjen e parë të tij, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. Nga sa më sipër deputetët e Partisë Socialiste, të mandatuar nga komisioni zgjedhor përkatës, kanë shkelur Kushtetutën. Në kushtet pas zgjedhjeve të 28 qershorit, a është normale puna e Kuvendit dhe e institucioneve qeverisëse të rrjedhura prej tij? Në mbledhjen e parë për fillimin e mandatit të Kuvendit, mbledhur nga Presidenti i Republikës, nuk morën pjesë 140 deputetë të mandatuar nga komisioni përkatës zgjedhor. Në Kuvend nuk u betuan 140 deputetë. Pa praninë e 140 deputetëve të betuar, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën e vet për miratimin e rregullores së Kuvendit, e cila miratohet nga shumica. Pra, për herë të parë shumica në Kuvend del në miratimin e rregullores dhe jo në apelin që bëhet në mbledhjen e parë. Për sa më sipër, organizimi dhe funksionimi i Kuvendit sipas nenit 75 të Kushtetutës, pa praninë e 140 deputetëve të betuar është i pavlefshëm. Në një situatë të tillë, është i pavlefshëm çdo institucion i dalë prej Kuvendit pa fillim mandati. Është i pavlefshëm përcaktimi i shumicës parlamentare si edhe përdorimi i saj për procedurë pasardhëse.

Kuvendi pa fillim mandati nuk mund ta fillojë sesionin e tij të parë (sipas nenit 74). Kuvendi nuk mund ta zgjedhë kryetarin e vet (sipas nenit 76). Kuvendi nuk mund të zgjedhë nga gjiri i tij komisione të përhershme, si edhe të caktojë komisione të posaçme (sipas nenit 77). Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, nuk mund të emërojë Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën në Kuvend (sipas nenit 96). Kryeministri nuk mund të paraqesë programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij (sipas nenit 97). Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje dhe të miratojë akte ligjore. Për sa më sipër, puna e Kuvendit të Shqipërisë, të mandatuar "me shumicë parlamentare", jo vetëm që nuk është normale, por është në shkelje të ligjeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Në rastin e fillimit të mandatit të Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shprehet drejtpërsëdrejti se Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, se mandati i Kuvendit fillon në mbledhjen e tij të parë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk shprehet ndryshe, për sa i takon fillimit të mandatit të Kuvendit. Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit të Shqipërisë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk rezulton të jetë zbatim i drejtpërsëdrejti i ligjeve kushtetuese, por interpretime antikushtetuese të Kushtetutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›