Berisha dhe Rama "bojkotojnë" Moisiun
Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka festuar dje 80-vjetorin e lindjes. Në një festë më shumë se private, ish-kreu i shtetit ka mbledhur bashkë drejtues të lartë të vendit, si Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe Zonjën e Parë dhe ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Ramiz Alia. Por në ceremoninë ku ishin ftuar miq dhe shokë të shumtë të "gjeneral" Moisiut, nuk mungonin dhe personazhe të njohur të politikës, përjashtuar dy protagonistët kryesorë: Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Në fjalën përshëndetëse, ish-presidenti Moisiu tha se "është e vështirë të mbledhësh bashkë shqiptarët, por më vjen mirë që këtu kanë ardhur personalitete të njohura të të gjitha krahëve. Moisiu tha se ende ishte i fuqishëm për të punuar, madje nuk i dilte koha dhe shtoi më tej se sa të kishte forca, do të jepte kontributin e tij për vendin.