Pasi mori pjesë në zgjedhje Serbia ndëshkon Rada Trajkoviçin
"Këshilli Kombëtar Serb (KKS) i Kosovës dhe i Metohisë" bëri të ditur sot se kishte përjashtuar nga radhët e veta znj. Rada Trajkoviç, kryetare e Këshillit Ekzekutiv të KKS-së, si dhe anëtarët e tij, Goran Marinkoviç dhe Boban Petroviç, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në Kosovë më 15 nëntor të këtij viti, njofton gazeta e përditshme serbe "Blic", e cila shton se KKS, me këtë rast, në vendimin përkatës për përjashtimin e tre anëtarëve të lartpërmendur të tij, vinte në dukje se, duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, të organizuara nga institucionet kosovare, "Trajkoviç, Marinkoviç dhe Petroviç kanë shkelur konkluzionet, orientimet dhe statutin e KKS-së të Kosovës dhe të Metohisë". Znj. Rada Trajkoviç, një nga politikanet më të njohura serbe në Kosovë, i deklaroi gazetës së lartpërmendur të Beogradit, se "ajo, edhe pse nuk ishte informuar ende zyrtarisht për këtë përjashtim të saj, e konsideron atë jolegjitim, pasi KKS nuk kishte kuorumin e domosdoshëm për të marrë një vendim të tillë. Pres që në mbledhjen e radhës, KKS të shprehet qartë, duke pasur edhe kuorumin e domosdoshëm, lidhur me vendimin e marrë për përjashtimin tim", theksoi ajo. Sidoqoftë, kryetari i KKS-së, Dragan Veliç, deklaroi se, në mbledhjen e tij, Këshilli Kombëtar Serb e kishte kuorumin e duhur për përjashtimin nga ai (KKS) të Rada Trajkoviçit, Marinkoviçit dhe të Petroviçit. Gazeta serbe e mësipërme gjithashtu bën të ditur se në mbledhjen e KKS-së, gjatë së cilës u përjashtuan tre zyrtarët e lartë të këtij këshilli, mori pjesë edhe kryepeshkopi i Rashkës dhe i Prizrenit, Artemije, që, sikurse dihet, është një nacionalist ekstremist serb.
M.Sinemati
M.Sinemati