E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pa Ballkanin, i papërfunduar ribashkimi i Evropës”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri i Sllovenisë u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të shikojnë interesin e tyre dhe të mbështesin misionin e EULEX-it në Kosovë, sepse ky mision, sikurse edhe KFOR-i, janë atje për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe për të ndihmuar të gjithë qytetarët e Kosovës

Në Parlamentin Evropian në Bruksel ka përfunduar Konferenca për Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e tij në BE. Pjesëmarrës ishin edhe kryetarët e Parlamenteve nga rajoni i Ballkanit, deputetë të Parlamentit Evropian dhe nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së. Njoftimet nga Brukseli bëjnë të ditur se shumë prej tyre nënvizuan se pa integrimin e vendeve të Ballkanit në BE nuk do të mund të konsiderohet i përmbyllur procesi i ribashkimit të Evropës. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, përmendi synimet e Shqipërisë për t u bërë anëtare e Bashkimit Evropian deri në fund të gjysmës së parë të dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Ajo paralajmëroi se Shqipëria së shpejti do të bëjë aplikimin për anëtarësim në BE. Topalli përshëndeti faktin se 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së tashmë e kanë bërë ratifikimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe uroi që Greqia ta bëjë këtë së shpejti dhe të mos mbetet e fundit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë në këtë takim se Kosova është duke ndërtuar institucionet shtetërore në bazë të normave më të larta ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ka shënuar përparim të madh. “Dhuna ndëretnike tashmë është pjesë e së kaluarës në Kosovë”, - është shprehur Krasniqi. Për rajonin në këtë konferencë, njofton korrespondenti i BBC-së në Bruksel, kanë folur edhe Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso, dhe Janez Jansha, kryeministër i Sllovenisë, që është edhe kryesuese e radhës e BE-së. Barroso ka thënë se BE-ja ka në strategjinë e saj të zgjerimit disa hapa për të afruar qytetarët e rajonit të Ballkanit me vendet e BE-së.
Kjo, sipas Barrosos, do të bëhet përmes nxitjes së kontakteve në mes të qytetarëve dhe liberalizimit të vizave. Për Kosovën Kryeministri i Sllovenisë ka shprehur kënaqësi për faktin se parashikimet për dhunë ndëretnike në Kosovë, pas shpalljes së Pavarësisë, nuk janë realizuar. “Hyrja në fuqi e Kushtetutës më 15 qershor na sjell në një pozitë të re, së cilës duhet t i përshtaten të gjithë aktorët ndërkombëtarë. Shpresoj se BE-ja, me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare, në dialog me Kombet e Bashkuara, do të gjejë zgjidhje për marrjen e rolit udhëheqës për të cilën kemi vendosur së bashku në dhjetor të vitit të kaluar“, - tha kryeministri slloven, Jansha. Kryeministri i Sllovenisë u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të shikojnë interesin e tyre dhe të mbështesin misionin e EULEX-it në Kosovë, sepse ky mision, sikurse edhe KFOR-i, janë atje për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe për të ndihmuar të gjithë qytetarët e Kosovës. “Në këtë rast është posaçërisht e rëndësishme të përkujtojmë se komuniteti serb në Kosovë duhet të shohë interesin e vet në praninë e misionit të EULEX-it”, - tha Jansha.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›