E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj: Jam i uritur për të luajtur



Arjan Beqaj është i uritur për t’u kthyer në portën kuqezi. Në një bisedë për mediat kosovare, 34-vjeçari nga Prizreni tha se Kombëtarja nuk ka pasur kurrë probleme me portierët, por me krijimin e mentalitetit fitues. Ndeshja miqësore kundër Uzbekistanit, që do të luhet më 11 gusht në Durrës, shënoi edhe rikthimin e Beqajt, i cili pak javë më parë ka firmosur për klubin qipriot, Olimpiakos Nikosia. Pas një pushimi të detyruar disa mujor, për shkak të lëndimeve, ai ka folur edhe për këtë aventurë në ishull. “Skuadra ku kam shkuar është shumë e njohur dhe po kërkon kthimin e famës së vjetër në futbollin qipriot. Kam pasur oferta edhe nga Turqia, por nuk desha të lëviz nga vendi ku kam jetuar vitet e fundit me familjen time”,- tha fillimisht portieri, i cili kujton më pas kohët e vështira të dëmtimeve. “Shpresoj se i kam kaluar të gjitha ato dhe tani ndjehem shumë mirë. Jam thjeshtë i uritur për ndeshjet e Kombëtares dhe ato të klubeve. Kam biseduar edhe me trajnerin, Josip Kuzhe, duke i shprehur gatishmërinë për të qenë në shërbim të Kombëtares edhe këtë edicion”,- tregon portieri, i cili u largua i zhgënjyer nga Anorthosis, aty ku dhe ishte kulmi i tij. Ndërkohë, përsa i përket Kombëtares, Beqaj kishte marrë ftesa edhe për miqësoren me Irlandën e Veriut dhe Malin e Zi, por mungoi për shkak të problemeve shëndetësore.
Porta – Në portën kuqezi konkurrentë të tij do të jenë Samir Ujkani (Novara) dhe Isli Hidi (Dinamo). “Shqipëria nuk ka pasur kurrë probleme me portierë, por me mentalitetin fitues. Ndonëse është fjala për një ndeshje miqësore, ekipi për të krijuar mentalitet fituesi duhet të fitojë çdo ndeshje, qoftë edhe ato stërvitore. Shqipëria ka pasur edhe më herët lojtarë kualitativ, por e përsëris, edhe mungesë të mentalitetit fitues”,- shtoi ai.
Eliminatoret - Sipas portierit, kuqezinjtë do ta kenë shumë të vështirë në eliminatoret e vlefshme për Euro 2012. “është grup i fortë. Franca do të jetë krejt tjetër dhe jo ajo që e kemi parë në ndeshjet e fundit. Mendoj se Franca është favorite, ndërsa Rumania nuk dihet kurrë se me çfarë ekipi paraqitet. Bjellorusia është ekip i vështirë për ne, si gjithë skuadrat e tjera të bllokut lindor. Por, mendoj se edhe ne nuk jemi pa shanse, sepse kemi ditur të tregojmë lojë të mirë”,- përfundoi Beqaj. J.Memo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›