Kapllani, drejt rikthimit te Karlsruhe
Edmond Kapllani është drejt rikthimit te Karlsruhe, skuadra ku ai ka shkëlqyer vite me parë. Lajmin për sulmuesin e konfirmojnë mediat gjermane. Ka qenë vetë menaxheri i Karlsruhes, Arnold Trentel, i cili ka thënë ndër të tjera, se Kapllani është alternativa më e mirë për sulmin. “Ne po kërkojmë një sulmues që na garanton 10 ose 12 gola në sezon. Për momentin është e vështirë të gjesh një të tillë. Kërkimet tona kanë qenë të mëdha, pra në shumë pista. Gjithsesi, ende nuk kemi arritur të konkretizojmë ndonjë marrëveshje. Shpresojmë në rikthimin e Kapllanit, të cilin ndoshta mund ta marrim në formë huazimi nga Augsburg”,- pohoi menaxheri Trentel. Sulmuesi durrsak njihet mirë nga drejtuesit e Karlsruhes, për më tepër që kishte meritën kryesore në sezonin 2006-2007, teksa shënoi 17 gola, duke ndihmuar në ngjitjen e skuadrës në Bundesligë. Megjithatë, Kapllani u largua nga ekipi ku pati shkëlqimin më të madh të tij. Edhe pse u bë pjesë e Augsburgut në Bundesligën 2, ai përsëri nuk arriti të gjente veten. Kalimi në formë huazimi te Koblenzi, bëri që sulmuesi të shfaqej edhe një herë si në kohët e tij më të mira. Ndoshta rikthimi te Karslruhe do t’i pëlqente Kapllanit, por në një bisedë për “Panorama Sport”, lojtari ka mohuar kategorikisht që të lëvizë drejt një skuadre tjetër si i huazuar. Me Augsburgun i ka mbetur edhe 1 vit kontratë, kështu që edhe interesi i klubit është të përfitojë nga shitja e shqiptarit. Gjithsesi, në ditët në vijim mund të ketë diçka konkrete. J.Memo