E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysenagolli i bindur: “Evropa nis me fitore”

Basketboll/ Shtatlarti kuqezi beson te suksesi me azerët

Dy ditë nga debuti mi i përfaqësueses
në basketboll për meshkuj në eliminatoret e kampionatit evropian, ku ndeshjen e parë e ka me Azerbajxhanin, atmosfera në kampin kuqezi është e ndezur. Një nga liderët e mbrëmjes së 8 gushtit do të jetë shtatlarti Endrit Hysenagolli. Me gjithë ‘rekrutimin’ te rivalët e së dielës të një basketbollisti amerikan e një turk për titullarin e kampionëve të Tiranës, Shqipëria është e gatshme për të bërë një paraqitje dinjitoze, pasi ka potenciale dhe lojtarë me perspektivë. Sipas Hysenagollit, me afrimin e Ermal Kuqos, ekipi është i kompletuar, po ashtu dhe qendra është e fortë. “Jam i bindur se me Azerbajxhanin do të japim maksimumin. Nëse do të luajmë të qetë dhe të kujdes-shëm në parket, sigurisht do të jetë më e thjeshtë për ne për t’u rikthyer te fitorja dhe kjo nuk përbën surprizë. Të gjithë në ekip janë të dobishëm. E dimë që në radhët e Azerbajxhanit luajnë një amerikan e një turk, megjithatë ne jemi përgatitur e motivuar më shumë se kurrë për të arritur një rezultat pozitiv”, u shpreh për “Panorama Sport” numri 14-të. Hysenagolli po kalon një moment të shkëlqyer në radhët e ekipit kombëtar, por jo vetëm. Prej kohësh ai ka fituar besimin e eprorëve. Më tej, në deklaratën e tij ai ka përshëndetur punën e bërë nga trajneri Dikel, i cili ka sjellë një frymë të re në ekip. Sipas tij regjimi dhe skemat e ndjekura nga tekniku gjatë fazës përgatitore intensive kanë rezultuar efikase dhe do të kurorëzohen me triumf në debutimin e Evropianit.

Kosovë-Shqipëri, ka paqe
Pas incidentit që degjeneroi në dhunë fizike në miqësoren ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në Bardhosh të Kosovës ‘armiqësia’ e krijuar mes të dyja kampeve tashmë ka marrë fund. Një vizitë ‘blic’ e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, në shtetin fqinj ka kthyer përfundimisht normalitetin. Sipas zyrës për shtyp të Federatës kosovare, arsyeja e takimit të presidentit Ponari me homologun Erolld Belegu ishin pikërisht episodet e fundit në turneun miqësor. Pas takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, në njoftimin për shtyp thuhet se të dy presidentët ranë unanimisht dakord që ajo çfarë ndodhi në “Turneun Ndërkombëtar Veror 2010” të harrohet sa më shpejt. Njëzëri u pohua që në të ardhmen të jenë më të kujdesshëm në të tilla organizime. Gjithashtu u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera, duke i dhënë më tepër theks vizionit të së ardhmes. Kreu i FSHB-së, Avni Ponari, premtoi se ai dhe institucioni që drejton do të lobojnë që Federata e Kosovës, edhe nëse nuk të anëtarësohet me të drejta të plota në FIBA, të paktën të përfaqësohet me klube në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›