E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbipopullohen hotelet në Sarandë, bum turistësh

 

SARANDE - Në të kundërt nga Vlora, këto ditë Saranda po përjeton bumin e vet turistik. Kjo është lehtësisht e dallueshme në frekuentimin e plazheve, por edhe në recepsionet e hoteleve e në banesat e turizmit familjar, ku është e pamundur të gjesh qoftë edhe një shtrat të pazënë. E dallueshme është dyndja në qytet edhe nga qarkullimi i automjeteve me targa të ndryshme, që pikërisht në këto ditë e kalojnë shifrën e 19-mijtëve. Frekuentuesit e shumtë të plazheve të Sarandës dhe periferive të saj gjatë ditës dhe tejmbushja e shëtitores dhe e lokaleve në mbrëmje, e tregojnë qartazi se Saranda është duke përjetuar sukses në këtë sezon turistik. E megjithëkëtë, mësojmë se kërkesat për të pushuar apo për të kaluar qoftë edhe një natë nga netët e verës në Sarandë, vijnë edhe nga shumë njerëz të tjerë. Këtë e konfirmon qoftë edhe nga një kalim sado i shpejtë në disa nga hotelet e Sarandës, nga qendra deri në periferi të Sarandës. Kudo tregojnë se qysh prej ditëve të para të gushtit e në vijim, shtretërit janë jo vetëm të zënë, por të prenotuar qysh më parë. Të 120 hotelet që numëron Saranda, në ditët e gushtit duken pak, për të nxënë tërë këtë fluks pushuesish e vizitorësh që dynden drejt saj, nga vendi dhe bota. Menaxherë të turizmit familjar thanë se edhe 400 shtëpitë turistike që kthehen në njësi akomoduese për pushues çdo verë, janë gjithashtu plot. Sezoni veror i këtij viti ka sjellë pushues të shumtë përveç atyre vendas, por edhe nga Maqedonia, Kosova, si edhe nga Greqia e Italia. E nëse një vit më parë, grekët por edhe italianët, numëroheshin në numrin e atyre që vinin në Sarandë për turizëm ditor, tashmë ata renditen në pushues 10 e 15 ditorë. Numrin e turistëve e rrisin dhe ata ditorë, kryesisht elitarë, të cilët që nga fillimi i vitit kanë vizituar qytetin bregdetar nëpërmjet mjeteve private lundruese apo kroçierave gjigante.               sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›