E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj: Stop presionit. Ndëshkim gjyqtarëve të korruptuar

TIRANE- Gjyqtarët nisin vetëadministrinin në mënyrë të pavarur për të reformuar sistemin gjyqësor dhe për të luftuar për pavarësinë e tij.

Sic ishte vendosur nga tryeza e rrumbullakët e organizuar më 9 nëntor gjyqtarë nga të gjitha gjykatat e vendit janë mbledhur sot në një takim të përbashkët, i cili do të ketë në rend të ditës: Pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe reformën e pushtetit gjyqesor; Rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut tek drejtësia; Mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare.

Në fjalën e hapjes së këtij takimi Kryetarja e Gjykatës së Lartë, zonja Shpresa Beqaj deklaroi se ritmi i reformave në sistemin gjyqësor duhet të përshpejtohet. Zonja Beqaj duke falënderuar presidentin e Republikës Bamir Topi si dhe të organizmave ndërkombëtarë për ndihmën reale dhe asistencën që kanë dhënë tha se procesi i reformave në drejtësi do të jetë relativisht i gjatë.

“Reforma në drejtësi mbetet prioritet i cdo shoqërie e sfidë. Nisur nga vështirësitë me të cilat ndeshet drejtësia ky proces do jetë relativisht i gjatë.”
Zonja Beqaj tha se legjislacioni është pothuajse i njëjtë me shtetet demokratike dhe formalisht këto ligje japin idenë e një pushteti gjyqësor të pavarur,- por nënvizoi- se ëkto ligje nuk zbatohen nga të gjithë gjyqtarët.
"I paafti nuk mund të zbatojë ligjet. I korruptuari qoftë dhe i aftë para parave e anashkalon ligjin. I politizuari që formalisht deklaron se është i apolitizuar formalisht nuk ka respekt për ligjin.”- perifrazoi Beqaj duke theksuar se toleranca dëmton rëndë imazhin e drejtësisë.

“Për të luftuar korrupsionin jepni fund fjalimeve të përgjithshme. Të evidentojmë individët e korruptuar. KLD të marrë masa ndaj gjyqtarëve të korruptuar por më parë duhet ti vërtetojë- nënvizoi Beqaj.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë tha më tej se ndodh që “elemente keqbërës ushtrojnë presione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar”.
Në këtë takim do të diskutohet dhe mbi mbledhjen apo jo të Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila më pas do të zgjidhte kandidatët për plotësimin e vendeve vakante në KLD.

Ligjerisht Konferenca duhet të mblidhet me ligjin e posacëm, por ky ligj ende nuk është miratuar nga Parlamenti duke bllokuar punën e sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vecanti.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›