E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jepet me koncesion blloku F në Myzeqe

Kompania "Bankers Petroleum" njoftoi se ka arritur të marrë miratimin për fillimin e punës së kërkimit dhe zhvillimit të bllokut gjeologjik F (pranë Fierit) nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. AKBN nuk ka bërë njoftim zyrtar në lidhje me këtë vendim. "Aplikimi për eksplorim është pranuar nga agjencia dhe bisedimet për Marrëveshjen e Ndarjes së Prodhimit do të fillojnë menjëherë me qëllimin që në janar të dorëzojmë aplikimin për miratim final nga Qeveria e Shqipërisë", njoftoi kompania.

Blloku F ndodhet në vijimësinë perëndimore të zonës së Patos-Marinzës, (burimi më i rëndësishëm i naftës në Shqipëri) dhe ka një sipërfaqe prej 740 kilometrash. Të përjashtuara nga zona e koncesionit gjenden tri zona naftëmbajtëse që aktualisht shfrytëzohen nga "Albpetrol". Sipas "Bankers", studimet paraprake kanë nxjerrë boshllëqe sizmike që ka mundësi të mbajnë naftë ose gaz natyror.

Pjesa më e madhe e zonave naftëmbajtëse të Shqipërisë janë dhënë sakaq me koncesion për t‘u shfrytëzuar nga kompani të huaja. Kompania shtetërore "Albpetrol" ka hequr dorë gradualisht nga një pjesë e konsiderueshme e puseve të veta, të cilat u janë transferuar privatëve për rizhvillim dhe rehabilitim. Vitin e kaluar, prodhimi i naftës në Shqipëri arriti në 580 mijë tonë, nga të cilat vetëm 215 mijë tonë i përkisnin shtetërores "Albpetrol".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›