Putin lavdëron Stalinin për fitoren në Luftën II Botërore
Stalini ka marrë jetën e miliona njerëzve gjatë sundimit të tij despotik dhe diktatorial dhe emri i tij ka qenë një tabu për dhjetëvjeçarë të tërë, por në Rusi, ky diktator ndodhet vetëm një hap larg rehabilitimit të tij. Së fundi, vetë Kryeministri Putin ka lavdëruar hapur arritjet e Stalinit. Kryeministri dhe ish-agjenti i Shërbimeve Sekrete në një dalje publike dhe televizive i dha shumë mbështetje Stalinit për faktin se sipas tij, ai e shndërroi Bashkimin Sovjetik në një superfuqi industriale, si dhe arriti që të mundte Hitlerin në Luftën e Dytë Botërore. Të paktën për sa i përket mendimit për Stalinin, qëndrimi dhe pikëpamja e Putinit ndryshon shumë nga ajo e Presidentit të vendit, Medvedev. Ky i fundit, në një intervistë të tij, deklaroi se terrori i ushtruar nga Stalini ishte "I pajustifikueshëm". Putin deklaroi se ai e kishte përfshirë çështjen e trashëgimisë së Stalinit në një program maratonë pyetjesh e përgjigjesh në televizion, sepse dëshironte që kjo çështje të diskutohej nga të gjithë rusët. Gjatë transmetimit të dialogut me mediat dhe me teleshikuesit, i cili ka zgjatur 4 orë, ai i bëri elozhe Stalinit: "Është e qartë se nga viti 1924 deri në vitin 1953 vendi që qeverisej nga Stalini u shndërrua nga një shoqëri agrare në një shoqëri industriale. Problemet e asaj kohe i dimë të gjithë, veçanërisht fundin me bujqësinë, radhët e gjata për ushqime, por është fakt i pamohueshëm realizimi i industrializimit. Ne fituam Luftën e Madhe Patriotike dhe pavarësisht se çfarë mund të thonë të tjerët ajo ishte një fitore. Edhe pse patëm humbje, sot askush nuk mund të hedhë gurë kundër atyre që e planifikuan dhe e drejtuan vendin në këtë fitore, sepse nëse do të kishim humbur luftën, pasojat për vendin tonë do të kishin qenë shumë më katastrofike". Sipas Putinit, sundimi i Stalinit ka pasur pa dyshim anë pozitive edhe pse gjithçka është arritur me një çmim të lartë. Qëndrimi i Putinit për të mbrojtur Stalinin e vë atë në kundërshti me Presidentin Medvedev, i cili në të kundërt ka kërkuar një dënim masiv të regjimit Stalinist. Për Medvedevin është i papranueshëm fakti që ka disa njerëz që justifikojnë humbjet e mëdha njerëzore me disa arritje të kohës. Sipas tij, vuajtja njerëzore është e pajustifikueshme dhe e dënueshme.