E Diel, 1 Nëntor 2026

Memelli, zbehen shanset për t’u thirrur në Kombëtare

 

Është bomberi i momentit në kampionatin shqiptar, madje ka shënuar më shumë se askush tjetër nga futbollistët kuqezi këtë sezon, përfshi edhe ata që luajnë jashtë. E megjithatë, ka shumë gjasa që Migen Memelli të mos grumbullohet për ndeshjen kundër Maltës. Ditë më parë burime pranë trajnerit Ari Han bënë të ditur se holandezit i pëlqente tej mase qendërsulmuesi i Tiranës, por tani duket se situata nuk është më në favor të lojtarit, ndonëse ai shkëlqeu në derbi. Burime pranë teknikut bënë të ditur se ka shumë pak gjasa që Memelli të mund të thirret në kombëtare për ndeshjen kundër maltës. Ai është në vëmendjen e Ari Hanit, por mund t’i jepet një shans vetëm për ndeshjen kundër Hungarisë më 28 mars që do të luhet në Tiranë. Gjërat mund të ndryshojnë vetëm nëse Ari Han gjatë vizitës së tij në Shqipëri gjatë këtyre ditëve, mund të ndërrojë mendje, nëse bashkëpunëtorët e tij, i sugjerojnë t’i kushtojë më shumë vëmendje sulmuesit shqiptar më në formë. Vetë Memelli nuk e ka fshehur dëshirën për të qenë pjesë e përfaqësueses kuqezi, por është treguar i matur në deklaratat e tij, duke ia lënë gjithçka në dorë teknikut Ari Han.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›