Iberoamerika në ekran, Java e VII e kinemasë spanjolle ndalet në Pogradec
Dje në Pogradec është shfaqur filmi i parë i ciklit “Iberiamerika në ekran” (Elsa dhe Fredi). Prej Pirinejve deri në Patagonia, një botë e tërë brenda një bote jeton, ëndërron dhe dashuron, një botë prej pesëqind milionë njerezish që ndajnë një gjuhë të përbashkët ndërmjet dy kontinenteve. Ambasada e Spanjës pretendon, brenda programacionit të saj kulturor, jo vetëm të bëjë të njohur në Shqipëri realitetin dhe kulturën spanjolle, por edhe realitetin dhe kulturën e shoqërive dhe njerëzve që ndjejnë dhe jetojnë në spanjisht. Për këtë arsye, Java e VII e Kinemasë Spanjolle në Shqipëri, që do të zhvillohet ndërmjet datave 17 dhe 22 gusht në Pogradec dhe që më pas do të udhëtojë në qytete të ndryshme të Shqipërisë titullohet “Iberoamerika në Ekran”. Qëllimi është njohja e publikut shqiptar me botën e madhe të atyre që në Spanjë dhe më tej, ëndërrojnë në spanjisht. Kinemaja iberoamerikane, për herë të parë e disponueshme për publikun shqiptar në të gjithë diversitetin e vet, është një kinema e pasur në tematikë dhe imagjinatë që jo gjithmonë është komercial. Formula të tilla si bashkëprodhimi, të nxitura nga Spanja nëpërmjet Programit Ibermedia, kanë qënë një alternativë për t´i bërë ballë ngushtësisë së tregut kombëtar. Filmat që përbëjnë këtë Cikël janë bashkëprodhimet e mëposhtme: Elsa dhe Fredi (Argjentina dhe España); Kaçimba (Kili, Argjentinë dhe Spanjë); Luleshtrydhe dhe Çokollatë (Kubë, Meksikë dhe Spanjë); Udhëtimi drejt Detit (Uruguaj dhe Argjentinë); Një Ari i Kuq (Argjentinë dhe Bolivi), dhe Havana Blues (Spanjë dhe Kubë).
Si gjithmonë, hyrja në aktivitetet kulturore të Spanjës në Shqipëri është falas dhe filmat do të shfaqen në versionin origjinal të tyre, me titra në shqip dhe në anglisht.
Dorëheqje e parevokueshme për drejtorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga ky post. Në njoftimin dërguar mediave, Krasniqi ka shpjeguar se dorëheqjen e ka ofruar për shkak të pamundësisë për të realizuar objektivat e tij. Në njoftim Krasniqi thekson se dorëheqjen e ka ofruar për shkak të ngushtimit të hapësirës për veprim në pajtim me ligjin për teatër, për shkak të ndërhyrjeve politike në punët e menaxhmenti të teatrit, si dhe për shkak të shtimit të trysnisë burokratike të zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës.
18 Gusht 2009