Beqiraj kërkon “rrëzimin” e videos
Gjykata e Lartë pritet të marrë në shqyrtim një tjetër kërkesë për papërdorshmëri të provave, por këtë radhë nga avokati i ish-vartësit të Dritan Priftit. Bëhet fjalë për videon e dytë që eksperti amerikan arriti të zbulojë në kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ku sipas prokurorisë është regjistruar Leonard Beqiraj dhe Dritan Prifti, duke ndarë një shumë parash prej rreth 70 mijë euro. Çështjes, që është ende nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, i ka paraprirë një kërkesë drejtuar Gjykatës së Lartë, sipas të cilës provat e prokurorisë duhet të shpallen të papërdorshme. Avokati i ish-zv.ministrit të Ekonomisë, Leonard Beqiraj pritet t’i kërkojë sot Gjykatës së Lartë të marrë në shqyrtim kërkesën e tij dhe ta pranojë atë, duke pretenduar se provat janë marrë në shkelje të ligjit.