Vlorë,ndryshojnë kushtet, çmimet e akomodimit të njëjta
Vlora për shumë njerëz njihet ndryshe si qyteti me dy dete. Nga njëra anë Adriatiku dhe nga ana tjetër Joni, në këtë zonë, ke mundësi të shumta për të zgjedhur vendin ku preferon të marrësh rreze dielli, të pushosh e të dëfresh mbrëmjeve. Një qytet që njeh pushues në çdo stinë, ku bregdeti ka çfarë të ofrojë përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Nëse në dimër gjëmimi i detit është i dukshëm, në verë gjithçka qetësohet. Kaltërsia ujore dhe gjelbërimi marrin kuptim tjetër. Zona lë vend për të zgjedhur. Madje, duke testuar dhe gustot. Nëse kërkon klimë malore, një ditë e tërë pushimi mund të kalohet në Llogara, ku qetësia mbizotëron nën gjelbërimin pafund të pishave. Një ditë pushimi mes gjelbërimit dhe kaltërsisë ta ofron Zvërneci, ndodhur jo shumë larg Vlorës, ndërsa për tifozët e plazhit, oferta është më e hapur se kaq. Ujërat e detit ftojnë në shumë zona, që nga plazhet me rërë, plazhet me zhavorr të imtë apo plazhet me gurë.
Fundjava
Ndërsa ditët e majit pak nga pak po ia lënë vendin verës, të parët pushues kanë nxituar të marrin rrezet e para, favorizuar edhe nga ditët e diellta të këtij fillimsezoni. Në Vlorë, fundjava sjell më tepër në vëmendje bregdetin, ndërsa janë grupe të rinjsh që kanë zgjedhur ta kalojnë atë në qytetin bregdetar. Në plazhin publik përmirësimi i infrastrukturës është i dukshëm, ndaj edhe grupe qytetarësh apo të rinjsh janë ndalur aty. Pavarësisht situatës politike këto ditë, Vlora në fundjavë është frekuentuar. Shumë prej tyre kanë qenë maturantë, të cilët kanë festuar mbarimin e shkollës së mesme, duke zgjedhur ekskursionin. Po kështu grupe nga Kosova kanë qenë të pranishëm këtë fundjavë, ndërsa nuk kanë munguar edhe të huajt e parë, pavarësisht se operatorët turistikë për ta kanë bërë parashikime jo shumë optimiste. Vizitat në qytet janë përqendruar në muzetë e tij, pika të njohura për historinë, si qendra e qytetit, për të vijuar më pas te bregdetit. Shtrirja e bregdetit ka ofruar më shumë se kaq. Ujërat e Jonit, edhe më të kaltra, orientojnë ofertën turistike për këtë vit. Njësi të ndryshme hotelerike, komplekse, kanë kohë që kanë nisur përgatitjet. Përfaqësues të këtyre shërbimeve pohojnë se parashikohet një sezon i mirë, kjo edhe referuar prenotimeve nga viti i kaluar, apo edhe ecurisë së deritanishme, ku vitet e fundit Vlora ka patur numër të konsiderueshëm pushuesish e turistësh.
Njësitë akomoduese
Kreu i shoqatës së operatorëve turistikë të Vlorës, Vasil Bedini, pohon se operatorët kanë marrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur këtij sezoni, kjo përfshirë gjithë shërbimet, akomodimet, apo edhe ato që përmbajnë paketat ekstra. Duke qenë se numri i pushuesve ka ardhur në rritje, kjo ka sjellë që nga ana e këtyre njësive akomoduese të ketë zgjerim të shërbimeve, përmirësim të infrastrukturës, ndërkohë që paketat e çmimeve janë në bazë të sezoneve. Referuar çmimeve, operatorët pohojnë se, pavarësisht lëkundjes së tyre e ritmeve rritëse në gjithë jetën e përditshme, do të riskojnë t’i mbajnë ato të pandryshueshme. Kështu për këtë fillim sezon ato variojnë sipas llojit të shërbimeve, 2.5 mije lekë reja, deri në tre mijë për dhomë dhe në kulmin e sezonit, që zakonisht e kap muaji gusht, nga 4 deri në 5 mijë lekë për dhomë. Gjithsesi, këto çmime propozojnë njësitë hotelerike të njohura, ndërkohë që në Vlorë është i frekuentuar edhe turizmi familjar, ku tashmë prenotimet fiksohen nga pushuesit nga sezoni i kaluar.