E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja në Gjykatë të Lartë, ja kërkesat e avokatëve të Metës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 23-05-2011 14:22

Tiranë Mesdita e sotme pritet të shënojë fillimin e betejës së parë ligjore mes avokatëve të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Kolegji penal i përzgjedhur për shqyrtimin e kësaj çështjeje, fillimisht pritet të dëgjojë dy përfaqësuesit ligjorë të ish-zv.kryeministrit, të cilët do të parashtrojnë para gjykatës të gjitha arsyet pse provat e prokurorisë janë të papërdorshme. Kërkesat e avokatëve pritet të nisin fillimisht me shfuqizimin e vendimit të prokurores Anila Leka, për caktimin e ekspertit që ka ekspertuar videon Meta-Prifti, si dhe shpalljen e papërdorshëm të këtij akt-ekspertimi. Gjithashtu, në radhën e provave për të cilët do kërkohet papërdorshmëri është kompjuteri “Lap Top”, që ish-ministri i Ekonomisë ka dorëzuar në Prokurori, USB ku është shkarkuar regjistrimi, si dhe ora e tavolinës me të cilin është kryer filmimi i takimit Meta-Prifti. Të gjitha këto prova, sipas avokatëve, duhet të deklarohen të papërdorshme nga Gjykata e Lartë, dhe për këtë arsye është depozituar kërkesa respektive në fillim të muajt mars të këtij viti. Duke qenë se pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme përfundoi hetimet dhe dorëzoi në Gjykatën e Lartë dosjen penale në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, seanca e parë mund të marrë një tjetër rrjedhë. Ligjërisht, kolegji penal mund të kërkojë bashkimin e kërkesës së avokatëve me dosjen e prokurorisë, e cila do të shqyrtohet në themel nga një tjetër kolegj penal. Duke qenë se procesi gjyqësor ndaj ish-zv.kryeministrit Meta nuk ka nisur ende në shkallën më të lartë të gjyqësorit, gjykata mund t’i konsiderojë kërkesat e avokatëve të tij, si pjesë të çështjes. Kjo ide përforcohet edhe më shumë nga fakti, se seanca e nesërme është e para përsa i përket shqyrtimit të kërkesave të avokatëve për papërdorshmërinë e provave të Prokurorisë, si dhe të dhënave të mbledhura gjatë hetimit paraprak të kësaj çështjeje. Por kjo kërkesë mund të konsiderohet si pjesë normale e gjykimit të çështjes në themel, dhe mund t’i bashkangjitet dosjes penale, çka do të thotë se do të mjaftojë së paku një seancë që kërkesa e avokatëve të marrë përgjigje përfundimtare nga Gjykata e Lartë. Ende nuk dihet qëndrimi i mbrojtësve të zv.kryeministrit për këtë çështje, por seanca e sotme pritet të pasohet nga një përballje e fortë ligjore mes palëve. I pranishëm në Gjykatën e Lartë pritet të jetë edhe një prej përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili do të mbrojë vendimet e koleges së tij, për kryerjen e ekspertimit teknik të videos Meta-Prifti, duke kërkuar kështu rrëzimin e pretendimeve të avokatëve. Ky fakt bëhet prezent nga dy avokatët edhe në kërkesën që është depozituar në Gjykatën e Lartë, ku thuhet se vendimi për caktimin e ekspertit dhe akt-ekspertimi i ekspertit amerikan, dhe atij anglez janë kundërshtuar, por prokuroria pa kryer asnjë analizë ka vendosur të mos marrë parasysh argumentet e avokatëve. Video përgjimi Meta-Prifti u transmetua në emisionin Fik-Fare në janar të këtij viti, ndërsa një ditë më pas Prokuroria e Tiranës nisi hetimet kryesisht. Duke qenë se dy personat që shfaqeshin në video ishin me imunitet, hetimet kaluan për kompetencë në Prokurorinë e Përgjithshme. Pas dy ekspertimesh, organi i akuzës arriti në përfundimin se video e regjistruar nga ish-ministri Prifti ishte autentike, ndërsa në përfundim të hetimeve dorëzoi dosjen penale në Gjykatën e Lartë, e cila pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›