Beqiraj në Hoffenheim ?

Pas Xherdan Shaqirit (Bayern Munich), Granit Xhakës (Monchengladbach) dhe Adrian Nikçit (Hannover), karrierën në Bundesligë pritet ta vazhdojë edhe një tjetër futbollist kosovar. Fjala është për sulmuesin e Dinamo Zagrebit, Fatos Beqiraj.
Sipas mediave gjermane, kosovari me pasaportë malazeze pritet që gjatë këtij afati kalimtar të transferohet te skuadra e Hoffenheimit. Mësohet se Dinamo Zagreb pritet të arkëtojë 4 milionë euro nga shitja e ish anëtarit të Besës së Pejës.
“Asgjë nuk ka zyrtare, por, sipas mediave gjermane, Beqiraj do ta vazhdojë karrierën në Hoffenheim, Sipas këtyre informacioneve, nga shitja e kosovarit, Dinamo do të inkasojë 4 milionë euro”, shkruajnë mediumet kroate të shtunën.
Sipas mediave kroate, nga Dinamo Zagreb nuk ka asnjë informacion zyrtar që është marrë vendimi për shitjen e Beqirajt. Por, drejtori sportiv i klubit nga Maksimiri, Zoran Mamiç ditë më parë ka paralajmëruar se Beqiraj mund të shkoj në Bundsligë “Ka njoftime rreth shkuarjes së tij në Gjermani, mirëpo ne ende nuk e kemi marrë ndonjë ofertë zyrtare”, ka thënë Mamic për Sportske Novosti.
Mësohet se interesim për transferimin e Beqirajt ka shprehur edhe Werder Bremen, por skuadra e Hoffenheimit ka fituar garën për transferimin e ish sulmuesit të Besës së Pejës në Rhein-Neckar-Arena.
Në verën e vitit 2010, 24 vjeçari pas një aventure të suksesshme te skuadra malazeze Buduçnost ishte transferuar te skuadra e Dinamo Zagrebit. Edhe te gjiganti kroat Beqiraj pati paraqitje të suksesshme.
Nga 62 paraqitje me Dianon, Beqiraj ka realizuar 25 gola, derisa sezonin e fundit ishte shpallur sulmuesi më i mirë i kampionatit kroat me 15 gola të shënuara. Për dy vite sa ishte te Dinamo, Fatosi fitoi dy herë titullin e kampionit dhe Kupën e Kroacisë.