E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqiri: AAK-ja s’mund ta diktojë LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kthyer përgjigje negative Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nënkryetari i së cilës, Blerim Shala gjatë një interviste i ka propozuar koalicion parazgjedhor, me kushtin që presidenti t’i takojë LDK-së e kryeministri AAK-së. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri gjatë një konference për media të enjten ka thënë se LDK-ja nuk pranon që dikush t’i tregojë se si t’i ndajë postet.

Beqiri ka thënë se AAK-ja nuk mund të diktojë mënyrën e arritjes së çfarëdo koalicioni, përderisa ka thënë se qëndrimi i qartë i LDK-së është që me PDK-në nuk bën koalicion as parazgjedhor, as paszgjedhor.

“Nuk mund të diktojë dikush, po bëjmë koalicion, e po ia bëjmë siç po them unë. Ne e kemi thënë qëndrimin tonë, sigurisht që me kohë LDK-ja do të deklarohet për koalicionet e mundshme. Ne kemi afërsi më të madhe me dikë, e me dikë nuk kemi afërsi. Ajo që është e qartë, LDK-ja nuk ka hyrë dhe nuk hyn as në koalicion parazgjedhor as paszgjedhor me PDK-në. Për Aleancën, është thënë edhe nga lideri ynë që na ofron më shumë, por me gjithë respektin, nuk mundet as zoti Shala, as askush të na ndajë cilin post e marrim ne. Atë e ndajmë kur të vijnë votat, por sigurisht LDK-ja nuk heq dorë në asnjë variant nga posti i kryeministrit. Kjo është shumë e qartë”, ka thënë Beqiri.

Këto komente, Beqiri i bëri gjatë konferencës në të cilën paraqiti aktivitetet e Grupit Parlamentar të LDK-së, me ç’rast përmendi disa prej aktiviteteve, që sipas tij, e shquajnë LDK-në si parti opozitare.

Një prej më kryesoreve, Beqiri ka përmendur iniciativën për shqyrtimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Behgjet Pacolli president i vendit, nismë që çoi në largimin e Pacollit dhe arritjen e marrëveshjes ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, për zgjedhjen e Jahjagës në postin e presidentes.

Ai po ashtu ka përmendur edhe kundërshtimin e buxhetit 2011 dhe ofrimin e buxhetit alternativ për vitin 2012, kundërshtimin e bisedimeve, kundërshtimin për heqjen e masës së reciprocitetit të vendosur gjatë verës, kundërshtimin e privatizimit dhe qëndrimin për autostradës, të cilën Beqiri ka thënë se LDK-ja e mbështet, por është kundër mungesës së transparencës dhe çmimit shumë të lartë.

“Për veriun ne e kemi thënë, alternativë më të mirë nuk ka kur ti i thua qeverisë dhe koalicionit qeverisës mos hyni në bisedime, sepse janë të papërgatitura. Ju e dini që publikisht kemi kërkuar që të sillet agjenda dinamika e bisedimeve, ajo ka ardhur 3-4 muaj pasi kanë filluar bisedimet. Për korrupsion gjithashtu, nuk luftohet korrupsioni nga një pjesë e atyre që janë vetë të korruptuar dhe alternativë ti si opozitë nuk mund të ofrosh diçka tjetër kur nuk i ke numrat. Ndikimet në bordet e ndërmarrjeve, po ashtu janë borde të politizuara, edhe në gjyqësor, e të gjitha këto. Për aq sa ke ti fuqi si opozitë, ne i kemi dhënë”, është shprehur Beqiri.

Sidoqoftë, partia më e madhe opozitare nuk e ka ftuar asnjëherë kryeministrin Hashim Thaçi në interpelancë parlamentare, për dallim prej Vetëvendosjes, e cila e ka thirrur edhe kryeministrin edhe disa prej ministrave.

“Ju e keni vërejtur një gjë që, e thirr kryeministrin në një interpelancë, ke një temë të veçantë dhe ai flet krejt diçka tjetër. Nëse nuk i ke numrat dhe nuk shohim që do të ketë efekt, ne nuk e thërrasim, vetëm sa për të dalur ai dhe të bëjë propagandë siç e ka zakon”, është shprehur Beqiri.

Ai e ka vlerësuar lart punën e grupit parlamentar, të cilin e udhëheq, ndërsa ka drejtuar një varg kritikash për Qeverinë e Kosovës, duke e quajtur atë megalomane, me një numër të madh të ministrave dhe zëvendësministrave të cilët, sipas tij, nuk i di as vetë Qeveria se sa janë. /kp/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›