E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësimi institucional, s’ka ku të shkojë më poshtë

Nuk ka menduar ende nëse do të kandidojë për president të Kosovës, por nuk është i sigurt as nëse do ta pranonte një mandat të tretë të kryetarit të Kuvendit.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë në një intervistë për Kosovapress, se është krijuar gabimisht përshtypja se e synon postin e presidentit, por thotë se kundërshtimi i tij për zgjedhjen e Behgjet Pacollit në këtë post, e më vonë edhe të Atifete Jahjagës, ka të bëjë me, siç thotë ai, uljen e kriterit të përfaqësimit të këtij institucioni.

Krasniqi, i cili dy herë ishte ushtrues detyre i presidenti, nuk dëshiron të komentojë as për punën e Pacollit si president, e më pas si zëvendëskryeministër, as për Jahjagën si presidente aktuale.

“Realisht është krijuar keq përshtypja që unë e kam synuar. E vërteta ka qenë që unë kam qenë që në pozita të larta shtetërore të vijnë njerëzit qoftë nga skena e politikës, qoftë nga sfera akademike. Kjo ka qenë dhe e kam thënë publikisht dhe kam qenë që mos të zbritet kriteri që përfaqëson institucionet dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

E, ky kriter sipas kryeparlamentarit, nuk ka ku të shkojë më poshtë se që ka rënë aktualisht.

“Unë e thash në përgjithësi, sa i përket përfaqësimit, jo vetëm të këtij institucioni, por edhe të shumë të tjerave, janë zbritur kriteret dhe unë e kam shprehur se më poshtë s’ka ku të shkojë vetëm të ngritën kriteret në të ardhmen, të njerëzve që do t’i përfaqësojnë, qoftë të institucioneve, qoftë të qytetarëve që i përfaqësojnë”, ka thënë Krasniqi.

Por, ai nuk thotë nëse e sheh veten në postin e presidentit, ngase ende nuk ka menduar për kandidimin e mundshëm, derisa nuk është përmbyllur çështja e ligjit dhe mënyrës së zgjedhjes së presidentit.

Kreu i Kuvendit gjatë këtij mandati është dukur të jetë më “i butë” ndaj fjalorit të deputetëve opozitarë, për dallim prej mandatit të kaluar, kur kishte raste të “dënimit” për shkak të “fjalorit joparlamentar”.

Ai thotë se ka pasur mirëkuptim për fjalorin jo gjithherë të qëlluar të opozitës, sidomos të Vetëvendosjes, por për ta ka thënë se janë grup i ri parlamentar, me energji të reja dhe ende nuk janë ambientuar me punën e Kuvendit.

“Unë i mirëkuptoj sa herë kërkojnë ndryshime, por duhet ta dinë që në Kuvend kanë ardhur me këtë Kushtetutë që është, me këto simbole dhe ata duhet t’i respektojnë. Nëse i bëjnë numrat për t’i ndërruar, që duhet 2/3 ata edhe mund t’i bëjnë ato”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do ta mbështeste një nismë të tillë për ndryshimin e simboleve, Krasniqi nuk ka një përgjigje konkrete.

“E, kjo është një çështje tjetër. Ata duhet t’i bëjnë numrat. Pasi të bëhen numrat, mund pastaj të shikojmë”, është shprehur ai.

Krasniqi e pranon se nganjëherë ka mbajtur pozicion opozitar karshi koalicionit qeverisës, pavarësisht se është pjesë e tij, por, këtë ka thënë se e ka bërë gjithnjë për çështje që kanë rënë ndesh me ligjin apo Rregulloren e punës së Kuvendit.

Sido që të jetë, kreu i legjislativit vlerëson se Kuvendi gjatë këtij viti ka miratuar mjaft ligje, ka bërë punë të madhe në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, por sipas tij, është Qeveria ajo që nuk ka sjellë ligje të mira në Kuvend, andaj ka thënë se institucionet duhet ta formojmë një trupë të përbashkët profesionale, për hartimin më të mirë të ligjeve.

“Kosovës i duhet kjo trupë profesionale që harton ligje të mira. Në fakt neve s’po na vijnë ligje të mira dhe pastaj edhe stafi i papërgatitur, sepse nuk kemi staf të mjaftueshëm profesional, në Kuvend krijon vështirësi për të bërë ligje të mira”, është shprehur Krasniqi.

Në intervistën për Kosovapress, kryeparlamentari Krasniqi mohon se Kuvendi është kontrolluar nga kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa pranon se legjislativit po i mungon deputeti me më së shumti vota, Fatmir Limaj, për të cilin ai shpreh besimin e plotë se njësoj siç ka dalë i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, do të dalë edhe në procesin me të cilin po përballet tani. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›