E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala: Qeveria e kryeministrit Thaçi, nuk ka dije

Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë vlerësuar se 2011-ta ka qenë viti më i keq i keqqeverisjes në Kosovë. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti ka treguar të meta të mëdha, nuk ka treguar dije, guxim, vullnet dhe as organizim t’i adresojë dhe zgjidh problemet kryesore në vend.

Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, të enjten në konferencën e fundvitit për media ka përkujtuar edhe një herë se zgjedhjet e vitit të kaluar kanë qenë më të këqija të organizuara ndonjëherë, ngase sipas tij ka sjellë në pushtet një Qeveri të dështuar dhe pa dije.

“Si pasojë, në këtë vit, jemi përballë me një demokraci të goditur të rëndë, me institucione qendrore pa legjitimitetin e duhur, me një përplasje të çdoditshme në politikën kosovare, e cila nuk ka krijuar cilësinë aq shumë të duhur të kësaj politike në ballafaqimin me sprovat kryesore të Republikës së Kosovës dhe të shoqërisë kosovare. Qeveria e Kosovës e kryeministrit Thaçi, e dalë nga këto zgjedhje me të meta të mëdha, nuk ka as dije, as guxim, as vullnet dhe as organizim t’i adresojë dhe t’i zgjidhë problemet kryesore të Kosovës”, ka thënë Shala.

Sipas nënkryetarit të AAK-së, e mira më e madhe e vitit që po e lëmë pas është se shoqëria kosovare, dhe faktorit ndërkombëtar e kanë kuptuar se qeveria aktuale , nuk ka aftësi që të merret me çështjet kyçe që kërkojnë zgjidhje në vitin 2012.

“Veriu i Kosovës, raportet e pa definuara të Kosovës me Bashkimin Evropian, dialogu Prishtinë-Beograd i përgatitur dhe i menaxhuar keq, luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, probleme të rritjes ekonomike-sociale, mbi të gjitha zhgënjimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve të Kosovës me politikën kosovare, janë çështjet që do t’i trashëgojmë në vitin 2012”, ka thënë Shala.

Për më tepër, Shala ka pranuar se mungesa e Ramush Haradinajt, është reflektuar në AAK, ndërsa ka shprehur besimin se ai shumë shpejt do të kthehet fitimtar nga Haga.

“Mungesa e tij është shprehur shumë në AAK, por gjithsesi, edhe në politikën kosovare. Kthimi i Ramush Haradinajt në Kosovë, në pranverën e vitit 2012, pas shpalljes së dytë të pafajësisë së tij në Tribunalin e Hagës, do të jetë ngjarje e madhe jo vetëm për Aleancën, por edhe për gjithë politikën dhe shoqërinë kosovare”, ka thënë ai.

Sipas tij, kthimi i Haradinajt do të shënojë hapin e parë të procesit të kthimit kah e mbara e politikës kosovare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›