E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID: Ja çfarë po e mban peng zhvillimin e eksporteve bujqësore



Rritja e konkurrueshmërisë në tregje të reja dhe nxitja e investimeve në tregtinë bujqësore janë objektivat e programit më të fundit të lançuar nga USAID ditën e djeshme. Në panelin e të ftuarve zunë vend drejtues të instancave shtetërore, bankare dhe investitorë vendas, të cilët diskutuan rreth realitetit shqiptar dhe alternativave të mundshme, për të zgjeruar mundësitë dhe për të kërkuar tregje të tjera jashtë territorit shqiptar. Juan Estrada-Valle, drejtor i programit “Zhvillim i Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë e Ushqimit” theksoi se ky program përbën një mundësi për sipërmarrësit që aktualisht operojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë, për të përfituar njohuri rreth tregjeve ndërkombëtare agro-ushqimore dhe për të hyrë të parët në biznesin shqiptar të agro-eksporteve. Drejtori Valle theksoi gjithashtu se ekzistojnë një sërë problematikash në bujqësinë shqiptare, që tashmë janë të identifikuara dhe që duhen përmirësuar. “Rritjen e bujqësisë shqiptare aktualisht e kufizojnë investimet e ulëta për produktet me vlerë të shtuar, prodhimi i produkteve me vlerë të ulët, numri i madh i fermave të vogla dhe numri i kufizuar i kompanive tregtare, problemet e mjeteve monetare në firmat tregtare ekzistuese” detajoi ai. I pranishëm në takim, Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, inkurajoi sipërmarrësit shqiptarë të investojnë në bujqësi sidomos në sferën e eksporteve, e cila jo vetëm do të rezultojë në sipërmarrje fitimprurëse, por gjithashtu do të asistojë në hyrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Referuar situatës aktuale në vend, Ruli u shpreh për dhënien më shumë prioritet investimeve. “Bashkëpunimi dhe zhvillimi i bujqësisë intensive, bazuar në inovacione është rruga drejt zhvillimit të bujqësisë shqiptare: niveli relativisht i ulët i konkurrencës së prodhimeve bujqësore shqiptare po na pengon depërtimin në tregjet me vlerë të lartë”, u shpreh ai. Ndërkohë që një tjetër pikë, ku u ndal diskutimi ishte dhe orientimi drejt kredive favorizuese për këtë kategori. Alternativa që ju ofrua të pranishmëve ishte studimi më i mirë i ofertave të institucioneve bankare, që bëhen çdo ditë dhe përzgjedhja e më favorizueses.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›