Vodhën 12 motorë e makina, goditet grupi
BERAT - Polica e Beratit arrin që të shpartallojë një prej bandave të grabitësve të mjeteve motorike e shtëpive. Katër persona u vunë në pranga, të akuzuar për vjedhjen e 10 motorëve e 2 makinave, të cilët u bllokuan në cilësinë e provës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Beratit u arrestuan shtetasit: Paris Rizaj, 19 vjeç, Imerel Mane, 19 vjeç, Mariglen Gashi, 20 vjeç si dhe Ardian Nuhu, 18 vjeç, të gjithë banorë të Lushnjës. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur në qytetin e Beratit dhe rrethinat e tij mjetet dhe në të njëjtat zona kanë grabitur nëpër banesa. Operacioni i policisë, i koduar "Motoçiklisti", u finalizua pas hetimeve të kryera mbi denoncimet që bënë qytetarë të ndryshëm. Mësohet se pjesë e grupit është dhe Mario Biti, nga Berati, i arrestuar në Tiranë. Po hetohet pasi dyshohet se veprimtaria e grupit ka qenë e shtrirë dhe në Lushnjë e në Tiranë. d.xh