E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia prangos pengun, iu gjet një automatik në shtëpi



KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Pas lirimit nga pengmarrësit, 34-vjeçari Ndoc Ndou nga Mamurrasi u arrestua pasi iu gjetën në banesë armë e municione. Policia e Kurbinit prangosi jo vetëm dy pengmarrësit, babë e bir, Mark e Valmir Gjini, por edhe vetë pengun. Sipas burimeve, babë e bir në bashkëpunim kanë rrëmbyer nën kërcënimin e armës së zjarrit pistolete tip beretë njeriun e tyre duke e mbajtur atë peng, në mjetin tip "Benz" 240 me targa LA 8980 A, deri në orën 23:30 të së mërkurës. Pas katër orë negociatash, ndërmjet policisë së Lezhës dhe pengmarrësve është bërë i mundur lirimi i pengut pa u lënduar, si dhe arrestimi i personave që e mbajtën atë për rreth katër orë. Blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe armën e zjarrit pistolete bereta 9mm, në gjendje të mbushur, me një krehër me 5 fishekë të cilën e mbante Mark Gjini. Kontrolli vazhdoi dhe në banesën e Ndoc Ndout, ku u gjet një armë zjarri automatik dhe një krëhër me 20 fishekë model 54, si dhe një pistoletë TT. Pas zbulimit të armatimit, blutë arrestuan pak momente pasi e liruan nga pengu, 34-vjeçarin Ndoc Ndoji. Ai u akuzua për veprën penale "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake". Ndërsa për Mark Gjinin dhe Valmir Gjinin është ngritur akuza për veprat penale të "Rrëmbimit e mbajtjes peng të personit e kryer në bashkëpunim" si dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake". Sipas policisë, dy familjet kishin 10 vjet që kishin ardhur nga Puka. Duke qenë se djemtë e familjes Ndou ishin në emigracion, ata i kishin dhënë paratë dajës së tyre Mark Gjini, për të blerë një tokë 4 dynym, me qëllim që më pas ta ndanin atë në gjysmë. Por dy vite më parë, kur Ndou kishte kërkuar që pjesën e tij të tokës ta regjistronte me emrin e tij, daja e kishte kërcënuar. Konflikti zgjati për shumë kohë, derisa palët u shoqëruan në polici. Mësohet se çështja tashmë ndodhet edhe në gjykatë. Nëna e djalit që u mor peng u shpreh se: "Kemi 10 vite që jemi shpërngulur nga Puka. Marku me dy djemtë e mi që ishin në Greqi kanë blerë katër dynym tokë. Dy dynym ishin dhe janë tonat dhe dy të tjera të Markut. Deri tre vite më parë, tokën tonë e shfrytëzonte Marku, pasi djemtë i kisha në Greqi. Kur djemtë u kthyen, nisëm ta punonim vetë. I kërkuam letrat e tokës Markut, pasi duke qenë se ishte i afërm i joni ishte marrë ai me regjistrimin e tokës", u shpreh nëna e pengut, Prena Ndou. Ajo tregoi dje se e kishte përjetuar keq lajmin, pasi Mark Gjini edhe mund t'ia kishte vrarë të birin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›