Bojkoti, ambasadorët Lohan e Montobio takojnë Topallin e Topin
Eljona Ballhysa
Ambasadori i prezencës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Helmut Lohan dhe ambasadori i Spanjës që kryeson presidencën e radhës së BE-së, Emanuel Montobio, zhvilluan dje takime me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Dy ambasadorët i kanë njohur dy drejtuesit e lartë të shtetit me programin politik të presidencës spanjolle të BE-së dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Por, në qendër të diskutimeve ka qenë situata politike në vend e krijuar për shkak të bojkotit të Kuvendit nga ana e opozitës. Ambasadori Montobio ka deklaruar gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, Topalli, se vendi i opozitës është në Kuvend dhe se bojkoti nuk bën mirë për demokracinë në vend. Nga ana e saj Topalli u ka bërë të ditur ambasadorëve se Kuvendi i Shqipërisë do të respektojë Kushtetutën përsa i përket vlefshmërisë së mandatit të deputetëve të PS-së. Ndërsa gjatë takimit me presidentin Topi, dy ambasadorët kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e nxitjes së dialogut politik dhe institucional mes partive politike në vend.
Dialogu
Gjatë bisedës me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, dy ambasadorët, Lohan e Montobio, diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht te situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në Drejtësi. Në këtë takim, ambasadori Lohan dhe ambasadori Montobio, pasi e njohën kreun e shtetit shqiptar me programet dhe objektivat e ardhshme të Bashkimit Europian, sidomos pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimit të strukturave të reja drejtuese, shprehën mbështetjen e tyre për inkurajimin e forcimit të demokracisë dhe fuqizimit të rolit të institucioneve si dhe përmbushjen sa më parë të aspiratave integruese të popullit shqiptar.
Dy diplomatët e lartë i prezantuan kryetarit të shtetit shqiptar programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe se ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet madhore dhe sfidat që duhet të përballim për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate. Kryetari i shtetit u shpreh i bindur për bashkëpunim të plotë me presidencën spanjolle dhe delegacionin e BE-së në Tiranë, në synimin e përbashkët të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen europiane. Në këtë kontekst, presidenti shprehu angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe të institucioneve të tij për vazhdimin e luajtjes së rolit pozitiv dhe konstruktiv në rajon, si dhe përmbushjen e kushteve dhe standardeve që do të mundësojnë si liberalizimin e regjimit të vizave, ashtu dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Bojkoti
Ndërsa gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, ambasadori spanjoll theksoi se “Parlamenti është vendi për opozitën. Bojkoti nuk është i mirë për vendin dhe për demokracinë”. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit tha se “Kushtetuta është e qartë dhe ajo do të zbatohet”. Më tej, gjatë këtij takimi, ambasadori i Spanjës tha se zgjerimi i BE-së është një ndër prioritetet e kësaj presidence tashmë edhe pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ai tha se mbështet Shqipërinë për heqjen e vizave duke vlerësuar progresin e bërë nga pala shqiptare në plotësim të angazhimeve. Ambasadori spanjoll tha se Parlamenti Europian, ashtu si Parlamenti shqiptar, do të jenë institucionet me peshën kryesore në këtë proces. Ai vlerësoi diplomacinë parlamentare si një veprimtari efikase dhe me impakt konkret në përshpejtimin e procesit integruese të Shqipërisë.
Bashkimi Europain, tha ai, veç zgjerimit, ka si prioritete ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, sfidat e ndryshimeve klimaterike dhe forcimin e BE-së si një faktor ndërkombëtar, përmes koordinimit të politikave në nivel transatlantik në bashkëpunim me SHBA-të, Kanadanë, Amerikën Latine e Azinë. Ambasadori spanjoll tha se në kuadër të Unionit Mesdhetar po shihet politika e një zone të lirë ekonomike, gjë që do të ketë impakt pozitiv edhe për Shqipërinë si vend anëtar.
Salla e Byrosë së Kuvendit merr emrin “Pjetër Arbnori”
Në përkujtim të 75-vjetorit të lindjes së Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit dhe humanistit të madh, emri i tij u përjetësua dje në Parlamentin e Shqipërisë me emërtimin e sallës kryesore të mbledhjeve parlamentare, atë të Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve. Nën kujdesin e kryetares të Kuvendit, Jozefina Topalli, u organizua një aktivitet i posaçëm në nderim të kësaj figure shumëdimensionale, që gjithë jetën dhe veprën e tij ia kushtoi mendimit dhe fjalës së lirë, përpjekjeve për rrëzimin e diktaturës dhe demokracinë e Shqipërisë. Bashkëshortja, Suzana Arbnori, dy fëmijët, Justina e Filip, miq, bashkëvuajtës të burgjeve komuniste, deputetë, intelektualë dhe studiues, morën pjesë në ceremoninë zyrtare të emërtimit të sallës “Pjetër Arbnori”. Kryetarja e Kuvendit, në hapje të aktivitetit, tha se Pjetër Arbnori ka qenë legjendë e rezistencës dhe antikomunizmit, ndaj dhe simbolika është jashtëzakonisht e fortë. “Kjo sallë, ku dikur merreshin vendime kundër Pjetër Arbnorit dhe të gjithë atyre që s’e pranuan kurrë komunizmin, sot ka emrin Pjetër Arbnori. Ai ishte një luftëtar i fjalës së lirë. Ishte një njeri me zemër të madhe dhe unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam pasur mundësinë për ta njohur dhe për të punuar për tri legjislatura së bashku me zotin Arbnori, fillimisht si kryetar Parlamenti dhe pastaj kemi punuar bashkë në ditë të vështira, në kohën e opozitës. Jam shumë e nderuar që si kryetare e Kuvendit i vë emrin e Pjetër Arbnorit kësaj salle. Ishte një legjendë e rezistencës, ishte një luftëtar i paepur i fjalës së lirë, një shkrimtar i madh, një humanist i madh, një mbrojtës i të drejtave të njeriut si kurrkush tjetër, ishte Mandela i Shqipërisë”, - është shprehur Topalli.
Presidenti Topi takon një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës, të përbërë nga kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Naser Rugova, i cili shoqërohej nga Tom Hajdari dhe Albatros Rexha. Pasi u uroi miqve mirëseardhjen, presidenti Topi u shpreh se Republika e re Kosovës dhe lidershipi i saj kanë dëshmuar, sidomos pas zgjedhjeve të fundit, aftësitë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe multietnik me synime të qarta integruese në gjirin e familjes europiane dhe strukturat euroatlantike. Kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona duke nënvizuar rolin që luan në këtë drejtim ndërtimi i arterieve infrastrukturore, si dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë, agro-biznesit etj. Pasi e falënderuan Presidentin e Republikës për pritjen, deputetët e Kuvendit të Kosovës e informuan z. Topi rreth përpjekjeve dhe sfidave të Kosovës për të rritur akoma edhe më tepër njohjen ndërkombëtare të Kosovës, për zhvillimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që do të pasohen nga proceset e integrimit euroatlantik dhe ato për në Europën e Bashkuar.
20 Janar 2010