Tahiri: “Kryeministri Berisha, mbrojtës i korrupsionit elitar në qeveri”
Partia Socialiste deklaroi dje se qeveria nuk është e aftë të çrrënjosë korrupsionin, pasi ka për qëllim të përfshihet vetë në të. Arrestimet e punonjësve të administratës, të vartësve të Lulzim Bashës, nuk janë gjë tjetër veçse një luftë e hapur politike për pushtet.
Deklarata
Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, deklaroi dje se arrestimet e dy ditëve më parë mbi punonjësit e administratës nuk është një luftë kundër korrupsionit, por një luftë e hapur politike për pushtet. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Tahiri rikujton se peshat e rënda të korrupsionit elitar në qeveri dhe maxhorancë janë ende të lira, e madje të mbrojtura nga Sali Berisha nëpërmjet imunitetit parlamentar. “Arsyeja pse arrestohen për korrupsion vetëm vartësit e Lulzim Bashës, qoftë kur ky ishte ministër i Transporteve, ashtu dhe sot kur është ministër i Brendshëm, duket se është vetëm një shfaqje ekstreme e luftës për pushtet brenda së njëjtës familje politike”, - deklaroi Tahiri. “Sali Berisha nuk ka vullnet të luftojë korrupsionin, por më keq akoma, ka shfaqur shenja të qarta se korrupsioni në të shumtën e rasteve lind nga zyrat e qeverisë e përfundon në xhepat e qeveritarëve”, - tha Tahiri, duke shtuar se është kjo arsyeja kryesore pse shqiptarët mbetën në klasë nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave, duke drejtuar barrën e përgjegjësisë vetëm nga Sali Berisha dhe qeveria e tij. Në emër të opozitës, Tahiri i bëri thirrje kryeministrit të mos fshihet pas imunitetit parlamentar, por të dorëzojë para Drejtësisë ministrat Mediu, Basha dhe Olldashi, të akuzuar për korrupsion. Gjithashtu, sipas tij, edhe vete Berisha duhet të përgatitet dhe të shkojë para Drejtësisë për të dhënë llogari njëherë e mirë për gjithçka ka thënë e ka bërë në kurriz të popullit, duke abuzuar me detyrën dhe interesat publike. “I bëjmë thirrje të përsëritur Prokurorisë së Përgjithshme të ndërmarrë veprime konkrete dhe decizive për të filluar hetimet mbi të gjithë ata që sot nuk duhet të ishin në qeveri, por duke dhënë llogari përpara Drejtësisë”, - u shpreh Tahiri.
Korrupsioni qeveritar
Deputeti Saimir Tahiri u shpreh se qeveria nuk ka si qëllim të luftojë korrupsionin, pasi është ajo vetë që e përhap masivisht atë. “Tashmë është e qartë për të gjithë shqiptarët, e fatkeqësisht edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, se Shqipëria është vendi ku korrupsioni nuk luftohet asfare nga qeveria, por përhapet masivisht, kryesisht për shkakun e saj”, - tha Tahiri. Deputeti socialist Tahiri solli në vëmendje Transparency International, ku viti 2009 jo vetëm që nuk shënoi përmirësim të treguesve në luftën kundër korrupsionit, por shënoi rënien më drastike ndonjëherë në klasifikimin e vendit tonë, duke e renditur Shqipërinë të fundit në Europë, si kampion të parajsës korruptive të atyre që gëzojnë pushtet. Gjithashtu, Tahiri solli në vëmendje listën e madhe të korrupsionit qeveritar. “Mbi kokën e Sali Berishës dhe të qeverisë së tij, rrinë ende si hije të zeza skandalet e njëpasnjëshme për të cilat askush deri sot nuk ka dhënë llogari para Drejtësisë. Tragjedia e Gërdecit dhe 26 viktimat e pafajshme, rruga ‘Durrës-Kukës’ dhe mbi 300 milionë euro dëm, shembja e tunelit të Thirrës dhe 300 milionë euro të tjera dëm, korrupsioni me tokat në bregdet, me prokurimet dhe investimet publike në çdo sektor shtetëror, janë vetëm disa nga dhuratat që Sali Berisha i ka bërë gjatë vitit 2009 vetes dhe shërbëtorëve të tij, duke vjedhur xhepat e qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh Tahiri.
24 Dhjetor 2009