Presidenti Topi jep një pritje për përfaqësuesit e medias
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dha dje një pritje në Pallatin e Brigadave për përfaqësues, drejtues dhe punonjës të medias shqiptare me rastin e Vitit të Ri 2010.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i shtetit vlerësoi punën e bërë nga mediat gjatë vitit 2009. Ai tha se media është rritur paralelisht me të gjitha institucionet e tranzicionit demokratik në Shqipëri. Presidenti vlerësoi punën e bërë nga përfaqësuesit e medias gjatë këtij viti. “Mendoj se ju meritoni patjetër një vlerësim, një lavdërim që vjen në linja shumë të sinqerta nga ana ime. Unë kam parë vetë nga afër se si keni punuar për t’u sinkronizuar me teknologjinë bashkëkohore. Keni qenë përçues të lajmit të drejtpërdrejtë nga evenimentet më të rëndësishme të politikës shqiptare që kanë të bëjnë me fatet e Shqipërisë, të integrimit në NATO, të evenimenteve të caktuara, të evenimenteve të tjera që keni bërë të mundur t’ia përçoni publikut, dhe publiku ju ndjek me shumë vëmendje. Keni përcjellë në transmetim të pafund të të gjithë situatës së zgjedhjeve në Shqipëri”, - është shprehur presidenti, i cili ka përcjellë urimet më të mira me rastin e festave të fundvitit.
24 Dhjetor 2009