E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode, kundër Berishës për heqjen e TVSH-së për arsimin privat

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka kundërshtuar dje kryeministrin Berisha, i cili propozoi në fjalën e mbajtur në mbledhjen e qeverisë që të hiqet TVSH-ja për arsimin privat. Sipas kryeministrit, “ligji për TVSH-në nuk do të zbardhet pa u bërë disa ndërhyrje dhe pa u hequr TVSH-ja për arsimin privat, në përputhje me premtimin dhe zotimin solemn elektoral të qeverisë”. Kreu i qeverisë u shpreh se “me vendimin për heqjen e TVSH-së për arsimin privat në Shqipëri synohet të vendoset një drejtësi sociale, e cila, edhe pse nuk mund të arrihet në formën e saj më ideale, sërish është një dhuratë për një kategori qytetarësh”. Por ky vendim është kundërshtuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode. “Heqja e TVSH-së për arsimin privat është pabarazi sociale”, - ka deklaruar Bode, duke i kujtuar kryeministrit se “nuk është kohë për dhurata”. Replika ka vazhduar më pas nga kryeministri Berisha, i cili, duke ironizuar, është shprehur: “Me sa di unë, zoti Bode, nuk je zëri i sindikatave”. Kreu i qeverisë është kundërpërgjigjur se vendi ka përballuar cunamin ekonomik dhe se vendi ka rritje pozitive të ekonomisë. Aktualisht TVSH-ja për arsimin privat është në masën 20 për qind të të ardhurave të këtyre institucioneve.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›