E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: “Qeveria përdor tatimet në kundërshtim me ligjin”

Berisha lan hesapet politike me bizneset legjitime dhe shumëvjeçare, që në fantazinë e shfrenuar të Sali Berishës rezultojnë të jenë “punisto-mafioze”.
Opozita deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha po përdor organet tatimore të ushtrojnë kontroll të jashtëligjshëm mbi biznesin e vendit. Sipas Partisë Socialiste, kontrolli i organeve tatimore bëhet në bazë të interesave politike dhe monopoliste të Berishës ndaj atyre bizneseve që kryeministri i vetëquan “punisto-mafioze”.
Deklarata
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se organet tatimore punojnë në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, është qeveria ajo që po përdor tatimorët të ushtrojnë kontroll të paligjshëm mbi biznesin shqiptar. Deputeti Gjiknuri bëri të ditur se ditët e fundit organet tatimore kanë filluar një sërë kontrollesh dhe rikontrollesh të paligjshme mbi bizneset e vendit, duke i përzgjedhur ato në bazë të interesave politike dhe monopoliste të qeverisë “Berisha”. Sipas tij, këto veprime po kryhen duke shkelur haptazi ligjin për procedurat tatimore, i cili, në nenet 80 dhe 85, sqaron Gjiknuri, në mënyrë shteruese ka përcaktuar se kontrollet tatimore autorizohen vetëm pasi të jetë kryer procedura e analizës së riskut, ndërsa rikontrolli tatimor është rreptësisht i ndaluar, përveç rasteve kur fajtore është vetë administrata tatimore, apo kur ka prova për evazion fiskal. Deputeti socialist Gjiknuri deklaroi se kryeministri Berisha po i përdor këto instrumente të administratës fiskale për të larë hesapet politike me bizneset legjitime dhe shumëvjeçare, që në fantazinë e shfrenuar të Sali Berishës rezultojnë të jenë “punisto-mafioze”. “E pra, në shtetin që këto ditë po mburret se po plotëson Pyetësorin për standarde të familjes europiane, administrata e tij po angazhohet në një betejë bizantine, ndaj sipërmarrësve të ligjshëm të vendit”, - u shpreh Gjiknuri, duke shtuar se në mënyrë paradoksale, në kohën kur oborrtarët qeveritarë të kryeministrit flasin për klimë të favorshme biznesi, tatimorët e tij u kallin frikën me mjete të paligjshme çdo biznesmeni që, pa dashje apo me dashje, mund të kualifikohet në listën “punisto-mafioze” të kryeministrit.
Siguria e pronës
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, deklaroi se siguria e pronës, si baza e një shoqërie demokratike, në qeverinë “Berisha” është vetëm një nocion në letër, e cila varet shumë nga tekat e kryeministrit, oborrit të tij dhe përzgjedhjes politike. “Nëse të ndodh që sulltanit Berisha t’i krijohet dyshimi vetë apo nga të tjerë, se një biznes është ‘punisto-mafioz’, investimi i nënshtrohet persekutimit tatimor e policor, pavarësisht nga ligji, procedurat, garancitë kushtetuese apo kostot psikologjike e ekonomike që i shkakton shoqërisë”, - u shpreh Gjiknuri. Ai sqaroi se një vend i tillë nuk mund të jetë anëtar i NATO-s, e as kandidat për në BE; një vend i tillë nuk mund të ketë liri ekonomike, klimë normale biznesi apo siguri të pronës. Sipas tij, në një shtet demokratik qeveria nuk mund të bëhet sulltanat i bizneseve selektive dhe i pasigurisë për investime. “Në këtë situatë, ku shteti përdor në mënyrë të paligjshme organet e tij ndaj atyre që e paguajnë për ta mbajtur në këmbë, ajo që mbetet është rezistenca me çdo mjet ndaj kësaj dhune të paligjshme, duke justifikuar çdo lloj vetëmbrojtjeje ndaj një shteti që nuk i përket më ligjit, por sulltan Maliqit”, - përfundoi Gjiknuri.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›