Këshilltarët e Kamzës: Nuk kemi votuar për titullin “Qytetar Nderi” për Berishën
Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Kamzës kanë përgënjeshtruar dje deklaratën e disa mediave se për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryeministrin Sali Berisha kanë votuar unanimisht edhe këshilltarët socialistë të kësaj bashkie. Pas deklaratës së këtyre mediave këta këshilltarë kanë reaguar menjëherë, duke hedhur poshtë këto pretendime të kryeministrit dhe të mediave në shërbim të qeverisë. Jo vetëm që nuk kanë votuar për kryeministrin Sali Berisha, por ata, si të gjithë socialistët e tjerë, kërkojnë largimin e këtij kryeministri. Ilirjan Ismaili, Idriz Cara, Aqif Pjeqi e Shefqet Keçi, këshilltarë socialistë të Bashkisë së Kamzës, deklaruan se kryeministri Berisha mashtron duke pohuar se ata ia dhanë votën për titullin “Qytetar Nderi”. “Dje, disa media afër qeverisë dhanë njoftimin se për dhënien e titullit ‘Qytetar Nderi’ nga Bashkia e Kamzës kryeministrit Sali Berisha, paskëshin votuar unanimisht edhe këshilltarët socialistë. Është një mashtrim absurd i opinionit publik! Është oksigjen nderi për atë që po i mbaron”, - u shprehën këshilltarët socialistë të kësaj bashkie. Ata mohuan të kenë votuar për kryeministrin Berisha, duke e cilësuar atë si kryeministrin e Gërdecit. Më tej këshilltarët socialistë të Bashkisë së Kamzës kanë kërkuar menjëherë largimin e kryeministrit Sali Berisha. “Ne, këshilltarët socialistë të Kamzës, jo vetëm që nuk kemi votuar për këtë titull, por edhe e quajmë të turpshme që të votojmë një gjë të tillë për kryeministrin e Gërdecit”, - deklaruan këshilltarët. Ata shtuan se nuk mund të kenë votuar për kryeministrin e tunelit të vjedhur e të shembur, për varfëruesin e Kamzës e të gjithë Shqipërisë, për manipulatorin e paskrupullt të votave të shqiptarëve. Ne dhe gjithë socialistët dhe progresistët e Kamzës, votojmë vetëm një gjë: largimin e Berishës”, - u shprehën këshilltarët socialistë.
24 Dhjetor 2009