Beqja: “Fenomeni i papunësisë ka mbetur si në dhjetor të 2006-s”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, deklaroi dje se papunësia në tremujorin e fundit të vitit 2009 është përkeqësuar. Kështu, sipas tij, qeveria “Berisha” nuk ka bërë asgjë në përmirësimin e plagës së papunësisë që prej 20 vitesh. Deputeti Beqja bën të ditur se dyfishimi i pagës ka qenë një mashtrim i radhës i kryeministrit Sali Berisha. Në bazë të fakteve të deklaruara nga PS-ja dhe të pranuara zyrtarisht edhe nga INSTAT-i, Beqja tha se ato dëshmojnë se kjo qeveri nuk është e aftë të qeverisë për të zgjidhur krizën, por vetëm të mashtrojë e të gënjejë publikun me shifrat e ekonomisë, ndërsa familjet shqiptare e kuptojnë më mirë se çdo ministër gjendjen e vërtetë të krizës ekonomike në xhepat e tyre. Ndërsa Partia Demokratike, sot në pushtet, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit premtoi se do të hapte 160 mijë vende pune dhe do të shumëfishonte investimet në infrastrukturë dhe në energjetikë. “Pas kërkesave këmbëngulëse të përsëritura të Partisë Socialiste, Instituti i Statistikave të Manipuluara vendosi të publikojë të vërtetën e punësimit në Shqipëri”, - tha Beqja. Ai fakton se në dhjetor të vitit 2009 papunësia arriti në 13.75% duke përkeqësuar me 1 pikë vetëm në tremujorin e fundit. Kështu, sipas tij, jemi kthyer aty ku ishim në dhjetor 2006. Beqja tha se vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2009, forcat e punës në Shqipëri janë pakësuar me 71 mijë veta. “Mrekullia ekonomike e trumbetuar nga kryeministri nuk ka sjellë asnjë përmirësim në zvogëlimin e papunësisë, plagës më të madhe të 20 viteve të fundit”, - u shpreh Beqja, duke shtuar: “Të tjera shifra të publikuara së fundi shpjegojnë edhe motivin e vërtetë të vonesës në deklarimin e të vërtetave. Edhe kjo vonesë është pjesë e skenarit ogurzi për të fshehur të vërtetën e krizës ekonomike shqiptare”. Sipas deputetit të selisë rozë, sot mund të provohet se deklarimet për hapje të 80 mijë vendeve të punës ishin thjesht dhe vetëm një mashtrim në funksion të deformimit të rezultatit elektoral. Gjithashtu, deklarimet për dyfishim të pagave ishin po ashtu një mashtrim. “Sot provohet zyrtarisht ajo çfarë kemi deklaruar në PS, se pagesa e papunësisë është vetëm 6300 lekë në muaj. Pra, secili nga 10 mijë kryefamiljarët në pagesë papunësie, ka në ditë vetëm 210 lekë për familjen e tij, ose 4 herë më pak se minimumi jetik”, - deklaron Beqja, duke shtuar se “sot, provohet zyrtarisht ajo çfarë kemi deklaruar në PS se ndihma ekonomike është 3900 lekë në muaj. Pra, secili nga 90 mijë kryefamiljarët në ndihmë ekonomike, ka në ditë vetëm 130 lekë për familjen e tij ose 6 herë më pak se minimumi jetik”.
20 Prill 2010