E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi konsultohet me ekspertët për dekretet në Gjykatën Kushtetuese dhe në atë të Lartë



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar dje një takim konsultativ me ekspertë të fushës ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të mirë në radhët e gjyqtarëve, për t’i dekretuar më pas në postet vakante të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Në fjalën e mbajtur në këtë takim, kreu i shtetit vlerësoi si domosdoshmëri konsultimin me profesionistët e kësaj fushe në mënyrë që të përzgjidhen individë me vlera profesionale dhe morale. Presidenti i Republikës gjithashtu u shpreh se prej kohësh ka bërë thirrje për përmirësimin e klimës politike në mënyrë që edhe miratimi i dekreteve të tij për vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese të gjejë mbështetjen sa më të gjerë të forcave politike në Parlament. Në takim merrnin pjesë edhe përfaqësues të misionit “EURALIUS” të Bashkimit Europian, të Pranisë së OSBE-së e të programit “OPDAT” pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Takimi
Në njoftimin për shtyp të zyrës së shtypit të Presidentit të Republikës bëhet e ditur se takimi konsultativ është bërë në funksion të përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, nëpërmjet një procesi sa më transparent, profesional e në respekt të një tradite të mirë. Në fillim të takimit, presidenti Topi, pasi i ka falënderuar të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike, i ka inkurajuar ata drejt standardeve të njohura e të pranuara për gjyqtarë me integritet të lartë moral e profesional. Presidenti Topi vuri në dukje se ky është një proces tejet i rëndësishëm jo vetëm për shkak të numrit të konsiderueshëm të vendeve vakante, por edhe për funksionin specifik që kanë këto dy gjykata në strukturën institucionale të vendit. “Për shkak të kësaj rëndësie kam qenë i hapur dhe u kam bërë thirrje konstante partive parlamentare që t’i kushtojnë gjithë vëmendjen e duhur përmirësimit të klimës politike, me qëllim krijimin e një shtrati bashkëpunimi për këto emërime. Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit. Ajo duhet të jetë e harmonizuar për gjëra madhore”, - është shprehur Topi në këtë takim.
Më tej, kryetari i shtetit theksoi se “ky proces konsultimi, në vijim të asaj tradite të mirë të krijuar tashmë, nuk është një proces mekanik, por një domosdoshmëri për evidentimin dhe vlerësimin e atyre elementeve që përbëjnë integritetin e duhur moral dhe kapacitetin më të mirë profesional në ushtrimin e funksionit të nderuar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë”.
Grupi i ekspertëve, i përbërë nga këshilltarët juridikë të presidentit, si dhe nga: Marjana Semini, drejtore e Shkollës së Magjistraturës; Artur Kalaja, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve; Manjola Bejleri, kryetare e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve; Prof. dr. Skënder Kaçupi, dekan i Fakultetit të Drejtësisë; Prof. dr. Aleks Luarasi; Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, diskutoi mbi kriteret e publikuara nga institucioni i Presidentit si konform standardeve më të mira demokratike për përzgjedhjen e profesionistëve më të spikatur. Ekspertët ligjorë, në përfundim të këtij procesi konsultimi, do të paraqesin sugjerimet e tyre për standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, që mund të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, kritere që lidhen me etikën, moralin e nivelin profesional të kandidatëve, mbi bazën e të cilave Presidenti i Republikës do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve në këto gjykata. Në funksion të një procesi tërësisht transparent, në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të misionit “EURALIUS” të Bashkimit Europian, të Pranisë së OSBE-së e të programit “OPDAT” pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Emrat që do të zëvendësohen dhe kriteret që duhet të përmbushin dekretet

Në njoftimin për shtyp të Presidencës, të publikuar disa muaj më parë, është bërë e ditur se në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo me pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. “Të gjithë individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë janë të ftuar të paraqesin pranë kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre me dokumentacionin e mëposhtëm: kopje diplome dhe listë notash; kopje të titujve shkencorë; kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit; indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë; vërtetim nga institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore, si dhe çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit”, - shkruhej në listën e kritereve për gjashtë vendet vakante për pozicionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Mësohet se për anëtarë të Gjykatës së Lartë kanë aplikuar 70 kandidatë. Në Kushtetutë është e përcaktuar qartë se zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë bëhet me emërim të Presidentit të Republikës dhe dhënie pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Brenda 2010-s përfundojnë mandatin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza. Po kështu, një tjetër institucion kushtetues është dhe Gjykata e Lartë ku brenda këtij viti përfundon mandati i dy anëtarëve të saj.

20 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›