Meta: “Autostrada do të nxisë më tepër bashkëpunimin me Kosovën”
Zv.kryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, dje, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve.
Bashkërendimi i hapave diplomatikë, zhvillimet në Kosovë dhe rajon, ecuria e procesit të njohjes së Kosovës, mbështetja dhe ndihma për konsolidimin e institucioneve të Kosovës, proceset integruese europiane e euroatlantike dhe marrëdhëniet dypalëshe ishin temat kryesore që u trajtuan në bisedime. Në kuadrin e bashkëpunimit, Meta vlerësoi edhe fillimin e punimeve të autostradës Morinë-Merdare, të cilën e sheh si rrugën që do të bashkojë më tepër dy vendet. Ai theksoi se pikërisht kjo autostradë do të jetë një korridor për gjithë Ballkanin Perëndimor. Ministri Meta nënvizoi se dy vendet do të intensifikojnë bashkëpunimin edhe në marrëveshjet tregtare. Ndërsa ministri Hyseni shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me të gjithë vendet, përfshi edhe Serbinë. Gjatë konferencës së përbashkët, kryediplomati Meta nuk la pa i kushtuar një vëmendje të veçantë pavarësisë së Kosovës, duke u shprehur se Shqipëria do ta mbështesë atë në njohje të reja nga vendet e tjera që kanë mbetur pa e njohur. Dy homologët ramë dakord për përshpejtim të procedurave për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja që janë në proces.
Meta
“Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, shembull i bashkëjetesës në rajon. Do të intensifikojmë marrëveshjet tregtare. Dua të them se fillimi i punimeve të autostradës Morinë-Merdare, e cila së bashku me atë të Durrës-Morinë do t’i japin një dimension të ri marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve mes dy vendeve. Autostrada është katalizator i gjithë shkëmbimeve tregtare dhe njerëzore, do të ndihmojë shumë, do jetë një korridor për gjithë Ballkanin Perëndimor, kjo autostradë do lidhë edhe Kosovën me jugun e Serbisë”, - deklaroi Meta. Ministri Meta bëri të ditur se në konferencë se qeveria jonë mbështet fuqishëm institucionet e Republikës së Kosovës, në përballimin e të gjitha sfidave, përfshirë ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si kusht vendimtar për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. “Përsa i përket kuadrit ligjor, evidentuam se ai është i pasur, rreth 60 marrëveshje, protokolle e memorandume bashkëpunimi janë nënshkruar, nga të cilat 25 pas pavarësisë”, - tha Meta. Duke e quajtur të “pakthyeshme” pavarësinë e Kosovës, Meta ka deklaruar se Shqipëria do ta mbështesë atë për të kërkuar njohje të reja, ndërsa ka shtuar se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe si e tillë ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë. “Dua të evidentoj edhe njëherë ecurinë e deritanishme të njohjes së Kosovës, duke shprehur besimin se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe se procesi i njohjes së saj edhe pse i vështirë do ketë edhe njohje të tjera. Fakti që është njohur nga shtetet më të fuqishme të NATO-s, fakti që është pjesëtare e FMN-së dhe BB-së është një tregues i madh që edhe në të ardhmen do të ketë njohje të tjera”, - tha Meta, duke shtuar”: “Unë i premtova Hysenit se Shqipëria do ta mbështesë për njohje të reja në arenën ndërkombëtare, pasi Kosova e pavarur është e rëndësishme si faktor stabiliteti në rajon”.
Hyseni
“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë, përfshi edhe Serbinë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është te bashkëpunimi”,- deklaroi ministri Hyseni. Duke nënvizuar se Kosova mbetet e hapur për të bashkëpunuar si e barabartë me Serbinë fqinje, Hyseni shtoi se vendi i tij nuk ka asnjë arsye për të parë të ardhmen me optimizëm. “Periudha pas GJND-së është shumë e rëndësishme dhe ne në Kosovë e shohim këtë periudhë me shumë optimizëm dhe me pritje që do të ketë një avancim të njohjeve të pavarësisë së Kosovës”, - u shpreh kryediplomati i Kosovës. Duke iu referuar fillimit të punimeve për autostradën e Kosovës, Hyseni shprehu kënaqësinë që Kosova do të përmbarojë Rrugën e Kombit. “Është kënaqësi e veçantë të jem në Tiranë, por sot kënaqësia është e posaçme sepse rruan e bëra me veture duke parë pjesën shqiptare të rrugës së kombit. Më lejoni të shpreh kënaqësinë që edhe ne në Kosovë nënshkruam marrëveshjen dhe të jeni të siguritë se shumë shpejt edhe pjesa kosovare e rrugës së kombit do të përmbarohet”, - u shpreh Hyseni. Kryediplomati kosovar u shpreh se me ministrin Meta ka biseduar për bashkërendimin e veprimeve në fusha të ndryshme, në veçanti në rrafshin diplomatik. Ai theksoi se Kosova ka bashkërendim sistematik me shumë vende përkrahëse të saj, qoftë me BE-në, qoftë me SHBA-të. “Këto ditë kam zhvilluar vizita të shumta jashtë shtetit dhe po ashtu do të vazhdoj vizita të shumta në muajin në vazhdim, në Paris, në Bruksel dhe në kryeqendra të tjera të botës, gjithnjë me qëllim bashkërendimin e dhënies së mendimit për pavarësinë e Kosovës”, - u shpreh Hyseni.
Protestë nga banorët e Rubikut dhe të Gramshit për krizën ekonomike
Deputetët e Partisë Socialiste Gjovalin Kadeli, Gjok Jaku dhe Armando Prenga, kanë marrë pjesë në një protestë të zhvilluar në qytetin e Rubikut. Kriza ekonomike ka qenë në qendër të diskutimeve të tre përfaqësuesve socialistë, të cilët u kërkuan banorëve t’i bashkëngjiten protestës së madhe të 30 prillit në kryeqytet. Nga Rubiku në Gramsh socialistët, përmes deputetit Damian Gjiknuri, kanë përkrahur protestën e banorëve të fshatit Lenie, të cilët kanë akuzuar qeverinë se i ka lënë plotësisht në harresë për shkak se janë komunë e drejtuar nga e majta. Sipas tyre, kjo zonë nuk ka marrë asnjë fond për infrastrukturën, fakt ky që e ka izoluar atë plotësisht nga komunat e tjera.
20 Prill 2010