E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Meta takon ambasadorin e Australisë, Njuman



Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim ambasadorin jorezident të Australisë në vendin tonë, z. Jeremy Roger Njuman. Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Australisë dhe Shqipërisë si në bashkëpunimin e ngushtë bilateral, ashtu dhe në kuadër të aleancave dhe të nismave ndërkombëtare. Ministri i Punëve të Jashtme e njohu ambasadorin australian me rëndësinë që qeveria shqiptare u kushton këtyre marrëdhënieve duke vënë në dukje se së shpejti Shqipëria do të mundësojë hapjen e selisë së saj diplomatike në Australi, me qëllim nxitjen e këtyre marrëdhënieve si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Gjithashtu, z. Meta theksoi se hapja e Ambasadës Shqiptare në Australi do të ndihmojë edhe në forcimin e rolit të komunitetit shqiptar në Australi për të zgjeruar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve. Ministri i Punëve të Jashtme, Meta, më tej u ndal edhe në rolin dhe kontributin e qeverisë shqiptare për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, sikundër falënderoi qeverinë australiane për kontributin e dhënë në procesin e njohjes së Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori australian, Njuman, e falënderoi ministrin Meta për interesin e treguar në shërbim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njëkohësisht përcolli të njëjta mesazhe të qeverise australiane për qeverinë shqiptare. Në këtë kuadër, ai, në emër të ministrit australian të Punëve të Jashtme, e ftoi zv.kryeministrin Meta për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Australi në një kohë sa më të afërt, në përputhje me axhendën e tij.

20 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›