E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: INSTAT fsheh rritjen e çmimeve

Selia rozë akuzoi dje Institutin e Statistikave se nën ndikimin e qeverisë fsheh të vërtetën e rritjes së çmimit. Deputeti socialist, referuar këtij institucioni tha se në nëntor, sipas INSTAT, çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur me 5.6% dhe ka 6 muaj rresht që ushqimet rriten me më shumë se 5%. "Shtrenjtimi i ushqimeve e ka bërë të papërballueshme jetesën për familjet e varfra, për familjet në ndihmë ekonomike, për familjet e pensionistëve, për familjet e të papunëve. Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare shpenzojnë të gjitha të ardhurat mujore për ushqim dhe jetesë bazë", vërejti Beqja. Beqja vuri në dukje se ministri i gripit të derrit i këshillon shqiptarët të konsumojnë më shumë perime, por në nëntor perimet u shtrenjtuan me 33%. "Gënjeshtra është bërë tipar dallues për këtë qeveri. Instituti i Statistikave, i kthyer në një vegël në shërbim të qeverisë, fsheh qëllimisht të vërtetën për shtrenjtimin e shërbimeve spitalore", vërejti deputeti socialist. Sipas tij, në nëntor 2009, ashtu siç është bërë e njohur botërisht, tarifat e shërbimeve spitalore janë 4-fishuar për 800 mijë shqiptarë në moshë pune të pasiguruar. "Këtë të vërtetë të hidhur INSTAT ia fsheh qëllimisht shqiptarëve dhe nuk e llogarit për të nxjerrë një inflacion sa më të ulët", përfundoi Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›