Imeraj: Berisha ka vetëm një zgjidhje, të hapë kutitë
Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, deklaroi dje se Kryeministri Berisha dhe mazhoranca e tij kanë vetëm një zgjidhje, të hapin kutitë e votimit. Imeraj kërkoi që Kryeministri t‘u japë fund justifikimeve të kota për shpenzimet stratosferike të antimitingut të 8 dhjetorit, pasi tashmë të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se ky njeri harxhoi plot 4 milionë euro, ose më saktë, 2 milionë euro në orë, nga taksat e shqiptarëve, për të plotësuar tekat e tij individuale. "Sot, ekonomia shqiptare po kalon një moment të vështirë krize, çmimet po rriten e arka e shtetit po zbrazet. Por Sali Berisha, duke vendosur gjoba të paligjshme te biznesi i madh e i vogël, duke u rënë në qafë sipërmarrësve dhe tregtarëve shqiptarë, ndryshe nga çdo Kryeministër i përgjegjshëm, harxhon në këto ditë krize, plot 4 milionë euro vetëm për 2 orë", theksoi Imeraj. Ndaj ajo vlerësoi se Sali Berishës i ka mbetur vetëm një zgjidhje, e cila është me kosto të ulët për të dhe për të gjithë Shqipërinë: Të hapë kutitë, ose përndryshe, të largohet. Sipas selisë rozë, mazhoranca ka shpenzuar 2 milionë euro për reklama, koncertin, flamur e banderola dhe 2 milionë euro është kostoja e shërbimeve që u ndërprenë për shkak se administrata atë ditë nuk punoi.