Europol, pranga 115 të dyshuarve për pedofili
Europoli ka bërë të ditur se ka arrestuar 115 të dyshuar për përfshirje në prostitucionin e të miturve në 18 vende të Europës dhe në Kanada. Bëhet fjalë për një operacion të posaçëm që ka zgjatur 2 vjet, qëllimi i të cilit ka qenë identifikimi i personave të dyshimtë në internet. Ky operacion ka përfunduar me vënien në pranga të shumë të dyshuarve. Ata kanë bekgraunde të ndryshme profesionale që nga mësuesit e deri te kujdestarët që kanë edhe kontakte të drejtpërdrejta me fëmijët. Janë identifikuar deri më tani disa fëmijë që janë viktima të tyre nga moshat 4 deri në 12 vjeç. Sipas Europolit, hetimi dhe operacioni është drejtuar nga Shërbimi Inteligjent e Kriminal Austriak i cili ka mundur që të kapë në internet një pjesë të madhe të të dyshuarve që kanë qenë duke kryer veprimtaritë e jashtëligjshme. Të dyshuarit janë ndaluar gjatë kërkimeve të policisë në shtëpitë apo vendet e tyre të punës, por nuk specifikohet se kur janë bërë arrestimet.