Nuk ka kompromis në Strasburg
ADI SHKEMBI
Katër orë e gjysmë bisedime në prani të përfaqësuesve të lartënga Parlamenti dhe Komisioni Evropian, nuk mjaftojnë që maxhoranca dhe opozita të arrijnë kompromisin për zgji-dhjen e krizës politike. Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama, kanë vijuar të mbajnë qëndrimet e tyre lidhur me transparencën e zgjedhjeve, çka kanë detyruar palën evropiane të ndërpresë takimin në orën 01:35 pas mesnate, duke i lënë një afat prej 2 javësh forcave politike në Tiranë për të gjetur kompromisin.
Bisedimet
Takimi në restorant “Crocodile” ka nisur në orën 20:45. Kryeministri Berisha ka mbrojtur në këto bisedime variantin se Komisioni Hetimor Parlamentar mund të hapë kutitë e materialeve zgjedhore, ndërkohë që kutitë e fletëve të votimit duhet të digjen konform nenit 178 të Kodit Zgjedhor. Por qëndrimi i opozitës edhe në këtë takim ishte i kundërt. Kreu i PS-së, Edi Rama tha se pakica bie dakord që materialet zgjedhore të hetohen në Komisionin Parlamentar, por sipas tij nëse ky organizëm vëren se ka parregullsi të mëdha, duhet t’i drejtohet komisionit të Venecias për të marrë një mendim për hapjen e kutive të fletëve të votimit. Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur se pala evropiane, e përbërë nga krerët e grupeve parlamentare, të majta dhe të djathta, Joseph Daul dhe Martin Schulz, Komisioneri për Zgjerimin, Fule, si dhe Kryetari i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, dhe nënkryetari i PSE-së, Johanes Svoboda, ka kërkuar gjetjen e një formule që të pranohet nga të gjitha palët, ndërkohë që nuk ka hedhur një draft konkret në bisedime. Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha është shprehur se “kam respektin më të madh për faktorin ndërkombëtar dhe kontributin e tij, por edhe për kundërshtarin tim politik”. Nga ana tjetër kreu i PS-së, Edi Rama vlerësoi në një prononcim për mediat rolin e deputetëve dhe mbështetësve të cilët u futën në grevën e urisë për 19 ditë. “Kauza jonë do të vazhdojë. Vetë kauza e opozitës ka shërbyer që kjo çështje të ngrihet në nivele kaq të larta”, theksoi kreu i opozitës. Por Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule tha se palët kanë ende shumë për të bërë, megjithëse në takimin e djeshëm ka qenë pozitiv shkëmbimi i pikëpamjeve.
Takimi
I pari që ka mbërritur në restorant “Crocodile” ka qenë kreu i PS-së, Edi Rama dhe deputetja Vasilika Hysi dhe pas tij ishin Joseph Daul, Kryetar i Grupit të PPE në Parlamentin Evropian dhe Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Evropianë. Vetëm pak sekonda më vonë në katin e dytë të restorantit u ngjit Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule. Ndërkohë, që i fundit në këtë darkë erdhi Kryeministri Berisha i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Oerd Bylykbashi. Në darkën e cila ka zgjatur katër orë e gjysmë, liderëve shqiptarë dhe atyre evropianë u është shërbyer mëlçi pate dhe pjatë e dytë mish qengji i gatuar me qumësht dhe më pas çokollatë. Në tryezë është shërbyer gjithashtu edhe verë.
SHBA: Koha është sot për marrëveshje
Pak orë para nisjes së takimit mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, me zyrtarë të lartë të Parlamentit dhe Komisionit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin dialogun mes palëve. Në një deklaratë për shtyp, diplomacia amerikane thekson se “mirëpresim nismën e BE-së dhe Parlamentit Evropian për të organizuar një takim të udhëheqësve të shumicës dhe opozitës së Shqipërisë, sonte në Strasburg”. Sipas Ambasadës së SHBA-së, sot është koha që dy palët, maxhoranca dhe opozita të nënshkruajnë një marrëveshje mes tyre. “Nxisim të dyja palët që të shfrytëzojnë këtë mundësi në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut dhe për të arritur një kompromis sa më shpejt që të jetë e mundur. Koha për marrëveshje është sot. Populli shqiptar ka nevojë urgjente për fundin e krizës politike dhe që Shqipëria t’i kthehet përqendrimit tek axhenda e saj euro-atlantike”, thuhet më tej në deklaratën për shtyp. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhërs ka qenë mjaft aktiv javët e fundit, lidhur me krizën politike në Tiranë. Ai është takuar disa herë me Presidentin Bamir Topi dhe kreun e PS-së, Edi Rama, ku ka diskutuar mbi mundësitë për tejkalimin e kësaj situate.
Kreu i diplomacisë shqiptare takon homologun spanjoll
Meta- Moratinos: Kriza të zgjidhet me dialog për forcimin e institucioneve
Kriza politike duhet zgjidhur nëpërmjet dialogut mes maxhorancës dhe opozitës. Kështu u shpreh dje Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos dhe zv.kryeministri Ilir Meta, gjatë vizitës në Madrid. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Jashtme shqiptare thuhet se “në kuadër të plotësimit të detyrimeve, për marrjen e statusit të vendit kandidat, z. Meta dhe z. Moratinos ndanë mendimin se kriteri politik është shumë i rëndësishëm në këtë proces dhe se kapërcimi i situatës politike në Shqipëri duhet të vijë vetëm nëpërmjet dialogut politik dhe kontributit të përbashkët maxhorancë-opozitë, për forcimin e institucioneve demokratike”. Në këtë takim, dy ministrat e Jashtëm, Meta dhe Moratinos, i vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, si shumë të mira, në rritje të vazhdueshme dhe në një perspektivë të qartë të forcimit të mëtejshëm, në të gjitha fushat me interes reciprok. Bashkëbiseduesit shprehën vullnetin e Qeverive të të dy vendeve, për të thelluar më tej dialogun politik, si në planin bilateral, ashtu dhe në atë të organizatave dhe nismave ndërkombëtare. “Nga ana e tij, ministri Miguel Angel Moratinos, duke vlerësuar progresin që Shqipëria ka kryer në drejtim të integrimit evropian, u shpreh se Spanja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë gjatë këtij procesi”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.
Shqetësimi i BE
Bashkimi Evropian shpreh shqetësimin për situatën politike në të cilën ndodhet Shqipëria. Në të njëjtën kohë, BE mbështet nismën e parlamentarëve evropianë për të ulur në bisedime Kryeministrin dhe kryetarin e opozitës shqiptare. Pak orë para takimit në Strasburg, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Evropian, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, në një deklaratë të përbashkët theksuan se “Shqipëria ndodhet në një moment thelbësor drejt integrimit evropian. BE është seriozisht i shqetësuar për vazhdimin e ngërçit politik. Duhet të ketë një zgjidhje që t’i rezistojë kohës”.