E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Me armën e Vilës plagosa Ermal Veliun

01/04/2005  TIRANË – "Dritan Vila më ka shitur drogë disa herë. Vetëm në këto kushte e kam njohur atë. Ndërsa fliste shpesh mbyllte sytë, duke të dhënë përshtypjen se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi nuk kishte marrë dozën e drogës. Megjithatë, gjithkush mund ta kuptonte se dëshmitari Julian Beqja, këtë lojë e bënte vetëm për të mos qëndruar shumë para gjykatës. Procesi gjyqësor kundër të pandehurve të grupit të Lushnjës, ka radhën të presë dëshmitarët e akuzës. Janë pyetur më shumë se pesë dëshmitarë, kryesisht përdorues të rregullt të drogës, të cilët kanë dijeni për disa veprime të kryera nga të pandehurit. Julian Beqja, i dënuar për krimin e plagosjes me dashje, deklaroi se e njeh të pandehurin Dritan Vila. Njohjen e lidhi me faktin e marrjes së drogës. Beqja edhe pse është dënuar tri herë, dy herë për vjedhje dhe për plagosje, tregoi se është përdorues i rregullt i drogës dhe gjithmonë e ka blerë nga Dritan Vila. Ndërsa prokurori Anton Martini i tha gjykatës se, dëshmitari kishte njohje edhe më të thella me Vilën. Sipas prokurorit, në polici Julian Beqja ka deklaruar se në vitin 2001 është grindur me shtetasin Ermal Veliu. Për këtë grindje, ai i ka treguar djalit të xhaxhait të tij, Tasim Beqja, i cili shoqërohej me Dritan Vilën. Një natë, i pandehuri i grupit të Lushnjës, Vila, e ka takuar dëshmitarin te klubi i "Morrit". Aty i ka dhënë armën e tij pistoletë, me të cilën më pas Beqja ka plagosur rëndë shtetasin Ermal Veliu. Për këtë vepër penale, Beqja është dënuar 2.5 vjet, ndërsa ka vuajtur vetëm 1 vit burg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›