Shfrytëzoi për qëllime fitimi, dënohet 10 vjet
01/04/2005 TIRANË – Gjyqtari Altin Abdiu dënoi dje me 10 vite burg të pandehurin Sali Gjoka, akuzuar për kryerjen e veprës penale të shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Gjoka ka rënë në pranga disa kohë më parë. Akuza ndaj tij është bërë nga një vajzë nga Kavaja, e cila është në moshë të mitur. Sipas denoncimit të të dëmtuarës, i pandehuri e gënjeu, duke i thënë se do ta dërgonte te njerëzit në Itali. Por në të vërtetë, ai e mori vajzën duke e dërguar në duar të personave të tretë. Para gjykatës, e dëmtuara u shpreh se nuk do t'ia falë kurrë të pandehurit atë që i bëri, duke e detyruar të dalë në rrugë për të ushtruar profesionin e prostitutës. Nga të gjitha provat e akuzës dhe dëshmia e vajzës, i pandehuri u deklarua fajtor për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Edhe prokurori kërkoi dënimin e të pandehurit me 10 vjet burg. Ndërkohë, Gjoka nuk ka pranuar asnjë nga deklarimet e vajzës si dhe provat e tjera. Ai është shprehur se vetë e dëmtuara i ka kërkuar ndihmë. Sipas të pandehurit, vajza i ka kërkuar ta nisë në Itali, me qëllim bashkimin me familjen. Por pretendimet e të pandehurit nuk u morën parasysh nga gjykata, e cila e dënoi përfundimisht me 10 vite heqje lirie.