E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefat e klinikave duhet të zgjedhin shtetin ose privatin

01/04/2005  Urdhri i ministrit Solis: Të gjithë mjekët dhe infermierët e klinikave private të licensohen

Tashmë shefat e pavioneve në Qendrën Spitalore Universitare dhe në Spitale të tjera nuk do të jenë më pronarë, apo shefa në klinikat private, por do të lejohen të punojnë vetëm disa orë pas punës në shtet. Ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, ka nxjerrë dje një urdhër mbi licensimin e subjekteve private, që kërkojnë të ushtrojnë aktivitet privat në fushën e shëndetësisë.

Sipas ligjit, drejtuesi i një klinike private duhet të jetë me gradën Profesor, po këtë gradë kanë dhe shefat e pavioneve në spitalet shtetërore. Rrjedhimisht, shefat si në shtet dhe në privat janë të njëjtët, por me rregullin e ri atyre ju duhet të zgjedhin midis dypunësimeve.

Çdo punonjës në privat do të licensohet

Sipas urdhrit të firmosur dje Komisioni i Dhënies së Licensave Profesionale pajis me licensë profesionale, çdo subjekt fizik (kur hap një aktivitet mjekësor) dhe juridik (me më shumë se një aktivitet mjekësor) duke licensuar drejtuesin teknik mjekësor të klinikës ose kabinetit dhe specialistët përkatës për çdo aktivitet mjekësor, duke përfshirë si personelin e lartë dhe atë të mesëm mjekësor.

Në klinikat me shumë specialitete

Klinikat mjekësore me shumë specialitete, duke përfshirë këtu edhe klinikat që në specialitetet e tyre kanë edhe laboratorë mjekësorë, miratohen për t’u hapur kur kanë një drejtues mjekësor, i cili duhet të jetë i shkëputur nga marrëdhëniet me shtetin. Sipas këtij urdhri dhe po të kenë gradë shkencore, mjeku drjetues duhet të shkëpusë marrëdhëniet me shtetin.

Kur nuk drejton klinikë private

Mjekët, stomatologët dhe personeli i mesëm mjekësor, që ushtrojnë profesionin në klinikat mjekësore dhe dentare, të cilët nuk janë drejtues teknik, por të punësuar pranë tyre, mund të jenë edhe të punësuar në shtet.

Rekomandim nga shefi për të punuar te privati

Mjekët dhe stomatologët, të cilët janë të punësuar në shtet, mund të ushtrojnë aktivitetin në kabinetet e tyre private pas orarit zyrtar. Sipas këtij urdhri, duke qenë se i gjithë stafi i klinikës private duhet të licensohet ndër kriteret për licensim, është vendosur se duhet të paraqesë leje nga drejtuesi i institucionit për të punuar privat jashtë orarit zyrtar, si dhe të deklarojnë orarin e punës në kabinetin ose klinikën private.

Subjektet që kërkojnë të licensohen ose të rinovojnë licensën, në momentin e dorëzimit të dokumentacionit pranë Sektorit të Licensimit të aktivitetit privat duhet të plotësojnë formularin (bashkëngjitur këtij urdhri) si dhe vërtetim për regjistrim anëtarësie pranë Urdhrit të Mjekut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›